A po rikthehet Flamurtari i dikurshëm?

Flamurtari i Prishtinës është një ndër klubet që gjithnjë i ka dhënë hijeshi futbollit të Kosovës.

Sa ka qenë kjo skuadër në rangun elitë, kryeqyteti i Kosovës e ka pasure edhe derbin lokal, Prishtina – Flamurtari që ka mbledhur shumë shikues.

Flamurtari e nisi mirë këtë edicion në Ligën e Parë me ç’rast vjeshtën e mbyllën në vendin e tretë me 32 pikë të tubuara. “Befasi jemi vendi i tretë. Pa imperativ ia nisëm kampionatit por shkuam mirë. Presim që edhe në pranverë të arrijmë rezultate të mira. Nuk dorëzohemi, nëse na jepet rasti do ta synojmë elitën”, thotë trajneri Jusuf Tortoshi për GazetënOlle‘.

Sipas tij, kushtet te klubi ‘kuq e zi’ janë përmirësuar dukshëm. “Me ardhjen e firmës ‘Trodadero’ të Besim Mujës, janë përmirësuar kushtet në klub”, potencoi ish-trajneri i Prishtinës, Jusuf Tortoshi.

Blerim Hajdini (Hajvalia), Enver Ramiqi (Llapi), Labinot Prapashtica (2 Korriku), Fidan Osmani (Llapi) dhe Eugen Rafuna (Hajvalia), janë ardhjet në ekipin prishtinas derisa janë larguar: Jahir Sjarina, Shpend Krasniqi e Agron Gashi.

‘Cufa’ i ‘vajtoi’ këta të fundit. “Kanë qenë lojtarë kyç në ekip dhe do të na mungojnë shumë”, përfundoi Jusuf Tortoshi.