Florent Muslija është një nga futbollistët më në formë të Kosovës para grumbullimit të sotëm që Dardanët do ta bëjnë për ndeshjet kualifikuese të Euro 2024.
Transferimi te Paderborni një vit më parë ka qenë shumë i mirë për reprezentuesin kosovar, pasi ai ka shkëlqyer me këtë skuadër dhe këtë edicion ka zhvilluar 26 ndeshje.
Në një intervistë për Telegrafin, Muslija ka folur rreth formës së tij, ftesës nga Kosova si dhe dy ndeshjet e para kualifikuese që Dardanët i zhvillojnë ndaj Izraelit më 25 mars në udhëtim dhe ndaj Andorrës tre ditë më vonë në Prishtinë.
Ai fillimisht ka thënë se është i kënaqur me paraqitjet që ka bërë këtë edicion në Bundesliga 2 me Paderbornin, por thotë se duhet të bëj edhe më shumë.
“Sa i përket formës time jam shumë i kënaqur, por mundem edhe më shumë pasi e di kapacitetin tim që kam”, tha fillimisht Muslija.
Ai ka shënuar katër gola dhe ka asistuar në tre të tjerë me fanellën e Paderborn, derisa thotë se shpreson që deri në fund të sezonit të rritë kontributin e tij me gola e asistime.
“Deri më tani jam i kënaqur me atë që kam dhënë, por shpresoj që deri në fund numrat të jenë edhe më të mirë”, vazhdoi tutje Muslija.
24-vjeçari do t’i bashkohet sot Përfaqësueses së Kosovës në grumbullim për dy sfidat e muajit mars dhe ai është shumë i lumtur si gjithmonë me ftesën.
“Është krenari sa herë veshi fanellën e vendit tim. Jam në formë dhe pres që formën e mirë me klubin ta vazhdoj edhe te Kosova ku kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme”, tha Muslija.
Ai beson se mund t’i marrin gjashtë pikë nga dy ndeshjet e para, edhe pse thotë se kundërshtari i parë Izraeli është një përfaqësuese shumë e mirë.
“Ndeshja e parë do të jetë ndaj Izraelit ku do të kërkojmë maksimumin. Normalisht edhe barazimi nuk do të ishte i keq në udhëtim, por kam besim se mund t’i marrim gjashtë pikë nga dy ndeshjet e para”.
“Unë do të jap 100 për qind nga vetja ime, por edhe shokët e Kombëtares dhe do të bëjmë më të mirën që të nisim në mënyrën më të mirë të mundshme këtë kampanjë kualifikuese”, vazhdoi tutje Muslija.
Muslija deri më tani ka luajtur 13 ndeshje me Kosovën, ku ka realizuar një gol ndaj Qipros dhe ka bërë një asistim.
“Shpresoj që të shënoj e asistoj edhe më shumë me Kosovën. Kjo është dëshira e të gjithëve, por në plan të parë është suksesi i Kombëtares pastaj ai individual”, vazhdoi tutje Muslijia.
Krejt në fund ai foli edhe për gjasat që ka Kosova për një kualifikim në Euro 2024 që zhvillohet në Gjermani, vend ku është lindur dhe jeton Muslija.
“Do të ishte diçka e mrekullueshme kualifikimi në Euro 2024, për më tepër që zhvillohet në Gjermani vendin ku jam lindur dhe jetoj”.
“Nuk është asgjë e pamundur dhe ne duhet të besojmë se mund t’ia dalim, normalisht duke dhënë më të mirën të gjithë nga vetja”, përfundoi Muslija.
Muslija ka debutuar me Kosovën në ndeshjen ndaj Republikës Çeke më 7 shtator të vitit 2019.
Ai nuk ka pasur shumë rast të luaj për Dardanët, por vitin e kaluar me ardhjen e përzgjedhësit Alain Giresse është bërë një titullar i padiskutueshëm në mesfushën e Dardanëve.