Plisat e kanë një porosi për udhëheqësit e Sigal Prishtinës

Largimi i Dardan Berishës nga Sigal Prishtina drejt Cibonës në Kroaci, ka lënë një boshllëk të madh në radhët e kampionëve të Ligës Ballkanike dhe të basketbollit kosovar.

Por, drejtuesit e kryeqytetasve, kanë menduar që të sjellin në kryeqytet emra të njohur. Burimet e Gazetës Tribuna, të afërta me Sigla Prishtinën, bëjnë të ditur se Samir Shaptahovic dhe Drilon Hajrizi, mund ta veshin fanellën bardhekaltër në sezonin e ri.

Gazeta Tribuna e ka kontaktuar basketbollistin nga Mitrovica, Drilon Hajrizin, i cili nuk e ka pohuar e as mohuar një kalim në kryeqytet.

“Për momentin jam duke pushuar dhe jam duke e agjëruar muajin e shenjtë të Ramazanit. Pas përfundimit, do të shikojë ofertat që kam dhe më pas do të vendosi”, kështu ka thënë Hajrizi.

Gazeta ka provuar të flas edhe me Samir Shaptahovicin, por kontakti me të ka qenë i pamundur, ashtu siç ishte e pamundur të flitet me drejtorin e klubit të Prishtinës, Florian Miftarin, i cili as nuk e hapte telefonin e as nuk i kthente SMS-të.

Plisat: Shaptahoviçi dhe Hajrizi, kurrë te Prishtina

Transferimin e Shaptahovicit dhe Hajrizit, mund ta pengojnë tifozët “Plisat”. “Samir Shaptahoviçi dhe Drilon Hajrizi nuk kanë vend në Prishtinë. Prishtina nuk është klub siç po mendojnë ata (kryesia). Nuk duam lojtarë që luajnë vetëm për para. Lojtarët e Prishtinë i largojnë dhe marrin lojtarë tjerë. Le të luajnë me junior. Unë mund të ju garantojë se Shaptahoviç dhe Hajrizi nuk kanë me luajt në Prishtinë, kjo është e sigurt”, tha për Gazetën Tribuna, nënkryetari i Plisave, Besnik Mujeci.

I  pyetur se a kanë biseduar me kryesinë e klubin lidhur me çështjen e transferimeve që Plisat nuk pajtohen, ai ka thënë se nuk kanë biseduar dhe as nuk do të bisedojnë. Plisat e kanë kundërshtuar edhe transferimin  basketbollistit serb, Aleksei Nesoviç, për të cilin u tha që ka nënshkruar kontratë me kryeqytetasit, por pas reagimit të tifozëve prishtinas, nuk dihet më se çka ka ndodhur me këtë transferim.

 

Mbetet të shihet në ditët në vijim se çka do të ndodhë./Gazeta Tribuna/