“Playmakers”, aty ku vajzat 5-vjeçare njihen me futbollin

Projekti “Playmakers”, i mbështetur nga UEFA, po vazhdon të promovojë futbollin tek vajzat 5-vjeçare nëpër 30 qendra të Kosovës, teksa FFK vazhdon t’i kushtojë rëndësi të veçantë përfshirjes së vajzave në futboll. Ky projekt synon t’i njoftojë vajzat me futbollin qysh në moshën e hershme dhe t’i fuqizojë ato përmes kësaj loje magjike.

Qëllimi i projektit është që vajzat të krijojnë shoqëri të reja, të argëtohen, t’u rritet vetëbesimi duke zhvilluar aftësitë sociale dhe motorike, por edhe të promovohet rinia e shëndetshme.

Krahas lojërave të ndryshme me topin e futbollit, ky projekt realizohet edhe përmes tregimit të historive të ndryshme nga trajnerët nga filmat e animuar të Disney, në mënyrë që vajzat të kalojnë një ditë sa më të lumtur.

Duke i inkurajuar vajzat që të bëhen pjesë e kësaj aventure, “Playmakers” po shndërrohet në një platformë zhvillimi të futbollit, e ku atyre i ofrohet mundësi për të shfaqur talentin dhe potencialin e tyre.

Ftohen të gjithë prindërit që t’i bashkojnë vajzat e tyre në projektin “Playmakers” nëpër 30 qendrat e vendit, duke u bërë kësisoj pjesë e këtij rrëfimi të mrekullueshëm!

Solomon flet pas daljes nga burgu: Jam i gatshëm për Gjilanin

Uzuni i pandalshëm, realizon gol spektakolar për Granadan (Video)