Plas debati për “Digitalb”: A do të fshihet emri në tuta?

Në emisionin “Opinion” ka pasur një debat mes gazetarit Reis Çiço dhe drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë “Digitalb”, Alban Jaho, që është sponsori gjeneral i ekipit kombëtar.

Gazetari Çiço ka deklaruar se nuk është mirë që Kombëtarja të zëvendësohet me emrin e një sponsori, ndërkohë që ka pasur një përgjigje nga drejtuesi i kompanisë, i cili respekton vetëm rregullat e UEFA-s, madje është i gatshëm që ta heqë emrin e kompanisë nga uniformat e ekipit kombëtar.

Sipas Jahos, ka pasur një kërkesë të tij në FSHF për të hequr emrin nga uniformat, por diçka e tillë nuk ka qenë e mundur që të realizohej në kohë përpara ndeshjes me Armeninë.

Reis Çiço: Kur është bërë që në tutat e uniformës së Kombëtares të zhduket emri i Shqipërisë dhe të shënohet “Digitalb”? A është normale diçka e tillë?

Alban Jaho: Unë blej atë që shitet. Nëse ajo është e shitur, unë e kam blerë atë.

Reis Çiço: Kombëtarja është e të gjithëve.

Alban Jaho: Nëse UEFA bën rregullat dhe lejon që kjo gjë të ndodhë, unë do ta blej.

Armand Duka: E kam dëgjuar këtë diskutim dhe ka filluar në ndeshjen në Serbi. Kombëtarja ka rreth 12 vjet që ka pasur emrin e sponsorit dhe nuk ka pasur asnjë emër tjetër. Ndryshe është në uniformën e lojës, ku nuk lejohen sponsorët dhe ne nuk kemi asnjë të tillë. Madje, jam i lumtur që ka një emër “Digitalb”, që është një emër shqiptar.

Reis Çiço: Atë nuk mund ta blejë as “Digitalb” dhe askush. Kombëtarja është e shqiptarëve.

Alban Jaho: Ra në sy në ndeshjen me Serbinë. Unë i kam kërkuar federatës që në ndeshjen ndaj Armenisë të hiqej fjala e sponsorit. Nuk më duhet që të reklamohem.

Armand Duka: Patjetër që do ta pranojmë këtë kërkesë.

Dritan Shakohoxha: Reis, ky është abuzim, sepse po të kontrollosh fare thjesht në internet, e sheh që edhe kombëtaret e tjera kanë sponsor në uniformë.

Alban Bushi: Unë jam kundër emrit të sponsorit, siç thotë Reisi. Mirëpo, duke qenë se janë rregulla të UEFA-s, atëherë duhet t’i respektojmë.