Plaku: Presidenti donte të më shkatërronte

Sebino Plaku akuzon presidentin e klubit polak, Slask Vroklav, se ka bërë gjithçka për t’i shkatërruar jetën.

“Unë isha si një skllav te Slasku, më urdhëruan të stërvitesha tri herë në ditë, presidenti donte të më shkatërronte”, – thotë ndër të tjera sulmuesi shqiptar në rrëfimin drithërues për mediat polake. Ai tregon në detaje atë që i ka ndodhur gjatë vitit të fundit.

Sebino, për shumë muaj ju nuk keni pranuar të komentoni për gazetarët situatën tuaj te Slasku. Pse?

“E vërtetë është, por unë nuk mund të flisja për mediat, duke bërë komente kritike rreth klubit tim, pasi kam pasur të shkruar në kontratë se nëse e bëja diçka të tilla, do të penalizohesha. Tani që kontrata ime me Slaskun është zgjidhur, unë jam gati të them të vërtetën. Gjatë muajve të fundit është shkruar shumë për mua në mediat polake, por ka qenë vetëm një version, ai i klubit. Është folur se unë fitoj shumë para dhe kam qenë në formë të dobët”, shtoi ai.