Pireva: Ballkani fitoi titullin që futbolli kosovar ia kishte borxh edhe më parë

Ballkani është kampion i ri i Kosovës, për herë të parë në histori të klubit.

Suharekasit kanë zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm dhe me plot meritë janë shpallur kampion të Kosovës.

E për përfundimin e edicionit 2021/22 ka shkruar një shkrim të gjatë gazetari i njohur kosovar Lavdim Pireva që punon në mediumin Telegrafi.

Pireva ka folur për Ballkanin si kampion i Kosovës me plot meritë, derisa ka disa fjalë edhe për skuadrat tjera.

Shkrimi i plotë nga gazetari Lavdim Pireva:

𝑩𝒂𝒍𝒍𝒌𝒂𝒏𝒊 𝒇𝒊𝒕𝒐𝒊 𝒕𝒊𝒕𝒖𝒍𝒍𝒊𝒏 𝒒𝒆̈ 𝒇𝒖𝒕𝒃𝒐𝒍𝒍𝒊 𝒌𝒐𝒔𝒐𝒗𝒂𝒓 𝒊𝒂 𝒌𝒊𝒔𝒉𝒕𝒆 𝒃𝒐𝒓𝒙𝒉 𝒏𝒆̈ 𝒕𝒓𝒊 𝒗𝒊𝒕𝒆𝒕 𝒆 𝒇𝒖𝒏𝒅𝒊𝒕

Ballkani ka fituar titullin disa javë më parë, por vetëm sot ngriti trofeun, duke u zyrtarizuar si kampion i vendit.
Për suharekasit ky është titulli i parë në histori, ndërsa në bazë të lojës dhe talentëve që kishte, mund të kishte ardhur edhe më herët. Por më mirë vonë se kurrë.

Ballkani nga këto klubet që faturën e pagave e kanë të trashë, më ka pëlqyer më së shumti, pasi gjithmonë kishte lojtarë të ri në skuadër me potencial për tu larguar. Tash është edhe Drita deri diku kështu.

Jetmir Topalli, Arbër Hoxha, Mirlind Daku tashmë të larguar drejt Evropës, Blend Baftiu ishte afër, ndërsa Liridon Emërllahu dhe Albion Rrahmani ishin emrat që na u prezantuan sivjet.

Presim përfaqësim të denjë në garat evropiane, pasi ka një bazë të mirë – ndërsa të gjithë neve entuziastëve të futbollit tonë do të na shuhet kureshtja për ta parë në Evropë.

Drita, Gjilani dhe Llapi po ashtu do të luajnë në Evropë, ndërsa kampioni i fundit Prishtina, siguroi mbijetesën vetëm në xhiron e fundit.
Prishtina fitoi tre pikë në Podujevë, edhe Feronikeli një vit pasi u shpall kampion në xhiron e fundit e siguroi mbijetesën (vitin e shkuar), po në Podujevë, ndërsa në vitin pasardhës, tani – ata nuk do të jenë më pjesë e Superligës, e nuk dihet fati i tyre as në Ligën e Parë.

Dukagjini, ashtu siç besuan të gjithë – shpëtoi, sikurse që shpëtoi edhe Drenica, sërish si vitin e shkuar në xhiron e fundit.
Malisheva do të luajë në barazh me Vushtrrinë, ndeshja e fundit për Superligën e Kosovës për këtë edicion. E kemi edhe një ndeshje, atë për Kupën e Kosovës, Drita – Llapi.

Ky kampionat u karakterizua me pak lojë të bukura, lojë prej atyre që i sheh dhe nuk të largohen lehtë nga mendja. Po ashtu u karakterizua edhe me klube që premtojnë paga të mëdha, por nuk janë në gjendje shumica prej tyre t’I realizojnë premtimet.
Por, nga rregullsia ishte më i rregullti – sa i përket luftës për titull, por për mbijetesë – ndodhi avazi i vjetër.

Këtë vit më shumë se sa vitet e tjera kemi padi të lojtarëve në FFK dhe FIFA ndaj klubeve, që duhet të jetë një sinjal për klubet tona, që skuadra e tyre kualitet në fushë japin pak, por këta atyre lojtarëve u japin e para shumë (ose ua premtojnë me kontratë).

Shembull për të gjithë duhet të jetë Feronikeli, e ndoshta edhe Prishtina, pasi duket se e pret fat i njëjtë, nëse shumë gjëra nuk ndryshojnë aty.

Edhe një javë futboll, dhe për ne gazetarët pak pushim me futbollin tonë, për tu kthyer me transferimet dhe ndeshjet e Evropës, aty ku klubet fitojnë pak, shpesh – jo aq sa investojnë.

Begolli: Nuza duhet të rishpallet gjyqtari më i mirë në Kosovë

La Liga me postim të veçantë për Vedat Muriqin pasi e ndihmoi Mallorcan të mbetet në ligë