Pique: Nëse do të luanim tri orë, përsëri nuk do të shënonim – problemet tona i sheh edhe një i verbër

Barcelona nuk po mund të këndellet, pasi ka pësuar një tjetër humbje, ku kësaj radhe në kampionat.

Gjiganti katalunas u mposht në Wanda Metropolitano nga Atletico Madrid me rezultat të pastër 2-0.

E për problemet e mëdha të Barcelonës ka folur edhe mbrojtësi veteran, Gerard Pique.

Qendërmbrojtësi spanjoll ka deklaruar se prisnin që të humbisnin, pasi sipas tij edhe tri orë po të luanin, nuk do të shënonin gol.

“Kemi humbur dhe ishte një rezultat që e prisnim, por nuk e donim. Tani le të pushojmë e të përfitojmë nga pushimi i kampionatit dhe t’ia nisim nga e para. Nuk e nisëm mirë ndeshjen, u sulëm përpara dhe pësuam dy gola me një kundërshtar që u përpoq shumë pak”.

“Mund të luanim për tri orë dhe nuk do të shënonim gol. Gjërat janë keq, por na mbetet të punojmë, të pushojmë dhe të kthehemi me më shumë forcë. Dy situatat e golit janë shumë të ngjashme dhe prandaj po diskutonim me Busquets”, tha Pique.

Se ka probleme të mëdha te Barcelona, këtë e ka deklaruar edhe Pique, me mbrojtësin spanjoll që ka thënë se problemet tek klubi i tij i sheh edhe një i verbër.

“Nuk është se ka vetëm një problem, njerëzit e dinë, edhe një i verbër e sheh. Janë kohëra të vështirë dhe ne do e kalojmë këtë periudhë”.

Gjithsesi sipas spanjollit atmosfera në dhomat e zhveshjes mbetet e mirë, pasi lojtarët shkojnë mirë me njëri tjetrin.

“Atmosfera në dhomat e zhveshjes është e mirë, lojtarët shkojnë me njëri-tjetrin, ka një dëshirë për të ndryshuar situatën dhe ne nuk mund të përfshihemi në ato që thotë presidenti. E gjithë zhurma mes tij dhe trajnerit nuk duhet të ndikojë te ne”, u shpreh Pique. /Telegrafi/

Ndeshje të zjarrta zhvillohen sot në Ligën e Parë, shtatë sfida janë në program

Reja publikon listën e Shqipërisë, ftohen 26 futbollistë për ndeshjet ndaj Hungarisë dhe Polonisë