Petkovic: Shqipëri – Zvicër, ndeshje e bukur

Shqipëri-Zvicër më 11 Qershor do të jetë një ndeshje e rëndësishme për shqiptarët por dhe për zviceranët, që në skuadrën e tyre kanë plot 6 futbollistë me origjinë shqiptare.

Trajneri i “Helvetëve”, Vladimir Petkovic në një intervistë për Supersport sqaroi se si e shikon ai këtë derbi dhe bukurinë që mund të paraqesi kjo sfidë.

“Shumë shpresuan dhe ja ku vjen ky derbi, që është i bukur për t’u luajtur sepse sfida të tilla mbartin emocion por e rëndësishme është që gjithçka të zhvillohet brenda kufijve të sportivitetit, ku të dyja skuadrat të kërkojnë fitoren meqë e kanë dhe ndeshjen e parë”.

Shumë shqiptarë luajnë me Zvicrën, dhe përballë në Lens do të jenë dhe dy vëllezër Taulant dhe Granit Xhaka, por për Petkovicin kjo gjë nuk duhet të jetë një problem.

“Unë do ta kem vetë një përvojë të tillë në Mars, pasi do të luaj ndaj Bosnjes në një miqësore, që është vendi im i origjinës .Unë do të kërkoj ta fitojë atë ndeshje dhe të njëjtën gjë besoj do të bëjnë dhe lojtarët, pasi qofsh shqiptar apo jo, kjo është një ndeshje futbolli. Megjithatë dhe ana psikologjike do të ndikojë, sepse nuk është e lehtë që ta kesh përballë vendin tënd”, ka shtuar Petkovic.

Por a do të zgjidhte Petkovic një nga futbollistët aktualë të Shqipërisë që ta kishte pjesën të tijën të Zvicra?

“Sa i përket këtyre futbollistëve që kanë qenë dikur pjesë e Zvicrës e janë tani pjesë e Shqipërisë, është diçka që duhet ta pranojmë. Unë kam lojtarët e mi, dhe jam i kënaqur me ata që kam. Shpresoj vetëm që t’i kem pa dëmtime për Evropianin”, ka përfunduar trajneri i Zvicrës.