Pesë arsyet e krizës së Hajvalisë, reagon Ismet Munishi

Hajvalia në tri ndeshjet e fundit ka marrë vetëm dy pikë duke u larguar ndjeshëm në luftën për titull kundrejt rivalit të tyre Feronikelit.

Por çfarë ka që nuk shkon te skuadra e paralagjes së Prishtinës, që ishte në sinkron të plotë deri para disa javësh.

Gazetaolle.com ka zgjedhur pesë arsye pse nuk po ecën Hajvalia në rrugën e duhur.

 

Orari jo i mirë 

Edhe pse e ka mbaruar në vendin e parë fazën e dytë të kampionatit, Hajvalisë nuk i ka dal mirë e menduar kjo. Skuadra e Ismet Munishit në çdo javë luan me kundërshtarin që një javë më herët luan Feronikelin. Duke parë që Feronikeli i ka mposhtur të gjithë kundërshtarët atëherë, skuadrat kanë kërkuar pikë te Hajvalia, ku disa me sukses kanë arritur t’i marrin.

Dënimi i Liridon Lecit

Njëri prej lojtarëve më të dalluar te Hajvalia kishte munguar kundër Dritës, por mungesa e tij u zgjat edhe për dy ndeshje dhe kjo plotësisht me faj të tij. Ai sulmoi në ndeshje me Hajvalinë vëzhguesin Rasim Gimolli, duke e kapur për fyti dhe dënimi për atë që bëri doli të jetë i butë.

Mungesa e alternativave në sulm

Hajvalia ka lojtarë të mirë në sulm, por nuk janë të mjaftueshëm për një kampionat. Në vjeshtë kishte në skuadër edhe dy sulmuesit, Berat Hyseni e Granit Arifaj, që u larguan. Me ndërrimin e skuadrës këta dy po luajnë mjaftë ndeshje të mira dhe janë duke i ndihmuar skuadrat e tyre, gjë që me pak besim në ta do ta kishin bërë edhe te Hajvalia. Në katër ndeshjet e fundit vetëm një gol është pak për një skuadër që e do titullin.

Lojtarë të vjetër që nuk mund ta përballojnë kampionatin

Hajvalia është një prej skuadrave më të moshuara në Superligë dhe këtë fakt e tregon edhe futja e lojtarit nën 20 vjet që është braziliani Da Luiz. Alban Dragusha, Shpëtim Babaj e Azem Ahmeti, Gëzim Gashi mbesin si lojtarët më të mirë në Kosovë, por përdorimi i tyre duhet të bëhet më rrotacion, pasi tri ndeshje në shtatë ditë mund të jenë shumë.

Presioni për pikë dhe deklaratat e trajnerit

Hajvalia doli e para dhe Munishi thoshte se tani nuk mund ta nxënë më. Por Feronikeli arriti ta bëjë këtë dhe me shumë sukses. Pas kësaj Munishi fillojë sulmin ndaj Feronikelit duke dyshuar në komplote kundër skuadrës së tij. Lojtarët tashmë ishin në presion të pikëve dhe në një ndeshje si me Dritën edhe pas shumë rasteve nuk arritën të shënonin. Duhet të ceket se Hajvalia  është dëmtuar nga gjyqtarët në disa ndeshje këtë kampionat.

Reagimi i Ismet Munishit

Lidhur me këtë shkrim, ka reaguar trajneri Ismet Munishi, duke sqaruar arsyet e krizës së Hajvalisë. “Kriza e Hajvalisë është rezultat i embargos të futbollit të Kosovës. Kush e ka bërë embargo është detyrë e gazetarëve që ta zbulojnë. Kemi qenë të dëmtuar nga referët, shkaku i embargos që po na bëhet. Jemi të vetdijeshëm edhe si kryesi edhe si lojtarë edhe si trajner. Nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi dhe do të jenë të gjithë dëshmitarë të një Hajvalia fantastike kur do të luajmë në Evropë. Do ta bëjmë historinë sepse jemi super-klub. Embrago vjen prej qarqeve më të errëta në futbollin e Kosovës”, ishte reagimi i ‘timonierit’ Ismet Munishi. /Olle