Përzgjedhësi i Kosovës U17, Arsim Abazi vëzhgoi nga afër 120 futbollistë

Stafi i Kombëtares U17 në krye me përzgjedhësin Arsim Abazi për 10 ditë ka organizuar kamp seleksionues në Kampin Nacional Edukativ në Hajvali.

Fillimisht është punuar me lojtarët nga ekipet vendore, ku ishin të përfshirë 120 futbollistë, derisa në tri ditët e fundit janë grumbulluar 24 futbollistë që luajnë në ekipet evropiane, e që këto ditë ndodhen për pushime në Kosovë.

Gjatë këtyre tri ditëve stafi i Kombëtares U17 i ka ndarë lojtarët në dy ekipe dhe janë zhvilluar ndeshje testuese për t’i parë vlerat dhe formën e gjithsecilit. Të pranishëm përveç stafit të Kombëtares U17, kanë qenë edhe përzgjedhësi i Kombëtares U19, Ramiz Krasniqi dhe koordinatori i ekipeve të grupmoshave të reja, Isa Sadriu, derisa kampin e ka vizituar edhe presidenti Agim Ademi.

Përzgjedhësi Abazi është shprehur i kënaqur me performancën e këtyre lojtarëve dhe është shprehur optimist se për kualifikime do të krijojnë një ekip kualitativ.

Kombëtarja U17 ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian do t’i ketë në muajin tetor, ku është në grup me Austrinë, Slloveninë dhe Ishujt Faroe. Paraprakisht në muajin shtator pritet që Dardanët U17 t’i luajnë dy ndeshje miqësore me Kombëtaren e Shqipërisë.

Fjalët e para të Ramos pas nënshkrimit me PSG-në

Alioski i ofrohet dy skuadrave të mëdha italiane