Përparim Hetemaj synon të ketë karrierë të pasur edhe si trajner

Përparim Hetemaj ka pasur karrierë të pasur si futbollist profesionist. Karrierë të pasur synon të ketë edhe si trajner, punë të cilën do ta nisë gjatë kësaj jave, ku i është besuar posti i trajnerit tek ekipi i dytë i Helsinkit.

“Dua të bëhem trajner i parë”, thotë Hetemaj për “calciobenevento.it”. “Do të filloj punën si trajner në ekipin e dytë të Helsinkit, i cili krahasohet me Juventusin U23 të Italisë. Më pëlqen shumë të punoj me të rinjtë dhe duke filluar nga kjo javë do të fillojmë përgatitjet për kampionatin, i cili për shkak të problemeve me temperaturat do të nis në prill. Në skuadër kemi shumë lojtarë të moshës 17 deri 19 vjeç dhe disa lojtarë me përvojë që do të na ndihmojnë të rrisim nivelin”.

Hetemaj javë më parë u përshëndet nga futbolli profesionist. Së fundi luajti për skuadrën e Helsinkit në Finlandë. 37-vjeçari ndeshjen e fundit të karrierës së tij si profesionist e luajti më 14 dhjetor, kur skuadra e tij Helsinki u përball me PAOK-un, në kuadër të Ligës së Konferencës. Por ai javë më parë u zyrtarizua si lojtar i FC Gillas.

Hetemaj u kthye në Helsinki në prill të vitit të 2022 pas 16 vjetësh jashtë Finlandës. Por ai ka zbuluar se para se t’i bashkohej Helsinkit kishte në mendje të pensionohej.

“Tre vjet më parë pata menduar të tërhiqesha, por më pas pata mundësinë të afrohesha afër shtëpisë dhe pranova të vazhdoj. Në prill të vitit 2022 erdhi thirrja nga HJK Helsniki. Po, kampionati ishte gati të fillonte dhe unë gjeta një marrëveshje për të filluar sërish nga ekipi im i parë profesionist në vitin 2005”, është shprehur ai. “Dy tituj të shtetit më mbushën me krenari. Ishin dy sezone shumë të bukura dhe intensive. Përveç kësaj pata mundësi të luaj sërish në Evropë, në Ligën e Konferencës. Në edicionin e fundit të Ligës së Evropës shënova kundër Ludogoretsit dhe Romës, disa javë më parë, në ndeshjen time të fundit shënova një gol na penalltia në Ligën e Konferencës kundër PAOK-ut të Selanikut”.

Hetemaj ka bërë karrierë të madhe si futbollist. Lëvizja e parë jashtë Finlandës ishte në Greqi te AEK-u i Athinës, ku luajti në 30 ndeshje në Kampionatin grek.

Më pas u transferua te Twente në Holandë, ku u ballafaqua me shumë lëndime.

Në vitin 2010, futbollisti, që u lind në Kosovë, u largua drejt Italisë, ku luajti 300 ndeshje në Serie A dhe realizoi tetë gola. Kohën më të mirë e pati te skuadra e Chievos, ku zhvilloi plot 249 ndeshje dhe realizoi gjashtë herë. Pas tetë vjetësh në Chievo, ai luajti edhe për dy vjet të tjera në Benevento dhe për më pak se një vit ishte te skuadra e Regginas. 35-vjeçari kthehet në Finlandë, shtet me të cilin ka zhvilluar 49 ndeshje në nivel përfaqësuesesh. U pensionua nga Përfaqësuesja e Finlandës në vitin 2017. Fitoi simpati kur në vitin 2016 vendosi të mos luajë për Finlandën ndaj Kosovës në kualifikimet e botërorit “Rusia 2018”. Vendimi i tij u kuptua në Finlandë, ndërsa u mirëprit në Kosovë.

“Në nivel profesional vendosa të them mjaft, pasi konsideroj se dhashë gjithçka që kisha dhe jam i kënaqur me qëllimet e arritura. Por do të vazhdoj të luaj për një klub të miqve të mi. Ekipi quhet FC Gilla, që luan në nivelin e gjashtë finlandez dhe përbëhet nga influencues, këngëtarë, ‘YouTubers’ dhe pa dyshim nga disa lojtarë. Ish-lojtari i Udineses dhe Ascolit, Sakari Mattila po ashtu do të jetë me mua”, ka thënë Hetemaj.

Shkëlqimi i Rrahmanit në Rumani shton interesimin e klubeve rumune për lojtarë tjerë nga Kosova

Zyrtare: Portieri Andrea Hoxha largohet nga Ballkani