Përparim Hetemaj: Shqipëria në Evropian, Kosova…

Përparim Hetemaj nuk e mohon ardhjen në Përfaqësuesen e Kosovës, por thotë që momentalisht është herët për t’u diskutuar një gjë e tillë. Në një intervistë për Gazetën Olle, ai foli për paraqitjet me Chievon këtë edicion, historitë me shqiptarët e Series A dhe rrugëtimin e Kombëtares së Shqipërisë drejt ‘Francës 2016’.

Përparim, si e vlerëson këtë edicion të Chievos?
Hetemaj: “Vërtetë po luajmë shumë mirë. Këtë kampionat e vlerësoj pozitiv sepse po bëjmë paraqitje të mira dhe shpresoj që të mbetemi në Serie A”.

Çka sa i përket aspektit personal?
Hetemaj: “Mendoj që kam bërë paraqitje shumë të mira. Jam i kënaqur deri në këtë moment por e di që mundem edhe më shumë”.

Numri i shqiptarëve në Serie A është rritur, si është të luash ndaj tyre?
Hetemaj: “Gjithmonë para ndeshjeve kur luaj me futbollistë shqiptar, përshëndetemi dhe bisedojmë miqësisht. Madje në herën e fundit e kam bërë edhe një foto me Lorik Canën dhe Etrit Berishën”.

Porosia “ruamani numrin 10 te Kosova” na kujtohet të gjithëve. A i qëndroni pas?
Hetemaj: “Besoj që deri më tani në Përfaqësuesen e Kosovës kanë ardhur shumë lojtarë mjaft të mirë që e meritojnë numrin 10”.

T’i ikim diplomacisë, çfarë në të vërtetë nënkupton kjo përgjigje?
Hetemaj: “Momentalisht është herët dhe nuk mund të them asgjë. Shpresoj që Kosova sa më shpejtë të hyjë në FIFA dhe më pas do të shohim nëse do të vij apo jo”.

Të kalojmë te Kombëtarja e Shqipërisë: A beson që do të kualifikohet në Evropian?
Hetemaj: “Sinqerisht Shqipëria ka ndryshuar dhe është duke zhvilluar lojëra shumë shumë të mira. Shpresoj dhe besoj shumë që do të kualifikohet në Kampionatin Evropian”.

Na trego në fund ndonjë prapaskenë me ndonjë yll të madh në Serie A. A e dinë që je shqiptar nga Kosova?
Hetemaj: “Sinqerisht për momentin nuk më kujtohet ndonjë histori diçka më interesante, sepse në përgjithësi kam raporte shumë të mira me të gjithë. Sigurisht, ata e dinë që jam nga Kosova dhe luajë për Finlandën”. /Gazeta Olle