Majlinda Kelmendi sot me një ceremoni shtetërore edhe zyrtarisht i ka dhënë fund karrierës së bujshme të saj.
Për nder të xhudistes më të suksesshme kosovare, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka organizuar një ceremoni shtetërore. Kjo ceremoni po mbajt në institutin ‘Ali Hadri’ në Prishtinë.
Ishte trajneri i Majlindës, Driton Kuka i cili tregoi detaje para pensionimit të xhudistes.
‘Po e flas nje detaj të rëndësishëm, për ndjenjat e një trajnerit, kur është përball një pensionimi të një sportisteje si Majlinda. Një shtet ka prit prej xhudos me u kthy me medalje nga Tokio 2020. Ngarkesa që Majlinda ka me lënë xhudon, më ka bërë mua shume më shumë të ngarkuar. Është dashtë qe krejt këto me i mbajt në vete. E ngushëlloja veten duke i thënë se ndoshta do ta bindi ta vazhdojë karrierën. Majlinda ka arritur gjithçka që mund të arrihet’, tregoi Kuka.
Majlinda konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur ndonjëherë Kosova.
Ajo e arriti kulmin e karrierës në vitin 2016 kur ia solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike nga ‘Rio 2016’.
Ndër të tjera, ajo është shpallur dy herë kampione botërore dhe katër herë kampione evropiane.
Në total, Majlinda i ka fituar 46 trofe në sportin e xhudos.
Në gara të rëndësishme, ajo i ka koleksionuar 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.