Është paralajmëruar se Përfaqësuesja e Kosovës nuk do të zhvillojë ndeshje miqësore në muajin qershor, në datat e lira të FIFA-s dhe UEFA-s.
Në mënyrë që termini i lirë mos të shkojë huq, trajneri i Trepçës ’89, Afrim Tovërlani vjen me një propozim nëpërmjet Gazetës ‘Olle’, për Përfaqësuesen e drejtuar nga përzgjedhësi Albert Bunjaku.
“Propozoj që gjatë muajit qershor të zhvillohet një ndeshje miqësore ekzibicionale në mes Përfaqësueses së Kosovës dhe lojtarëve që luajnë në Kosovë e Shqipëri. Do të ishte mirë për të gjithë”, ka thënë Afrim Tovërlani për Gazetaolle.com. Tutje, ai propozon që të ardhurat që do të mblidhen, të shkojnë për familjet e dëmtuara në Kumanovë. “Pse mos të shkojnë të ardhurat nga kjo ndeshje për familjet e dëmtuara në Kumanovë”, përfundoi trajneri më i suksesshëm kosovarë në vitet e pasluftës, Afrim Tovërlani.
Maxhuni e Munishi: Ide e shkëlqyer
Trajneri më shumë përvojë në futbollin e Kosovës, Hysni Maxhuni, e vlerëson idenë e ‘Tokit’ si shumë të qëlluar. “Një ide shumë e mirë, gjithashtu ide e mirë që parat të shkojnë për çështje humanitare. Shpresoj se do të realizohet pasi që nuk duhet shumë mund”, ka thënë Hysni Maxhuni për Gazetën ‘Olle’.
Ndërkohë, trajneri më i mirë në Kosovë për vitin e kaluar, Ismet Munishi, deklaroi se ideja është e mirë, por vështirë e realizueshme.
“Ide shumë e mirë por FFK-ja dhe selektori, nuk pranojnë që të luhet një lojë e tillë vetëm për t’i mbuluar marrit e veta.
Mendoj se do të bëheshin ‘horë’ me lojë edhe për atë nuk pranojnë. Ata pranojnë të luajnë vetëm ndërmjet vete, në mënyrë që mos t’i bien poshtë”, tha Munishi.