Përfundon Kampi Nacional i FBK-së

Të shtunën (sot) ka përfunduar Kampi Nacional i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Kampi filloi më 4 Korrik dhe u organizua në palestrën “Don Bosko” për vajzat dhe djemtë U14, derisa është udhëhequr Arben Krasniqi, Drejtor Teknik në FBK.

photo by: @besim.mydyti

Kampi është mbajtur në kuadër të programit të FIBA Europe për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (Youth Development Fund/YDF). Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e projektit të përbashkët të FIBA Europe Youth Development Fund tash e pesë vite së bashku me Federatën e Turqisë (udhëheqëse e projektit), Rumanisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Koordinatori i Kampit, Arben Krasniqi, ka folur për rrjedhën nga dita e parë deri në fund. “Kemi angazhuar trajnerë të mirënjohur në këtë kamp, që kanë punuar pandërprerë. Lojtarët/et kanë pasur mundësinë të mësojnë nga trajnerët e njohur. Ka qenë një javë shumë intensive me shumë punë. Kemi parë lojtarë e lojtare të talentuara, që do të jenë e ardhmja e Kosovës”, është shprehur Krasniqi për faqen zyrtare të FBK-së.

Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova ka thënë se ky kamp është shumë i mirëpritur. “Kemi parë shumë fëmijë të talentuar që në një të ardhme do të jenë pjesë e Përfaqësueseve të Kosovës, e të cilët më vonë mund të jenë pjesë e Kosovës A. Këto kampe ndihmojnë shumë në zhvillimin e talenteve dhe përzgjedhjen e tyre”, theksoi Rugova.

Trajneri Fikret Shatri falënderoi lojtarët/et për angazhimin e tyre dhe disiplinën e treguar në këtë kamp. “Në emër të trajnerëve dhe timin personal ju përgëzoj për punën e mirë që e keni bërë në këtë kamp. Mos e harroni asnjëherë çka keni mësuar në këtë kamp dhe të punoni e mësoni në tërë jetën. Është e rëndësishme të mësoni në shkollë, shtëpi dhe të mos ndaheni nga sporti i basketbollit”, deklaroi Shatri para fëmijëve.

Njëra nga trajneret ishte Kimete Haliti. “Gjatë këtyre ditëve jemi munduar që t’i mësojmë sa më shumë fëmijët të luajnë basketboll. Është e rëndësishme që ata/ato të jenë të edukuar dhe të duan sportin e basketbollit. Këto kampe ndihmojnë shumë në zhvillimin e basketbollit të Kosovës”, nënvizoi Haliti për faqen e FBK-së.

Fëmijët e këtij kampi ishin kandidatë potencialë për të qenë pjesë e Qendrës Nacionale të Basketbollit të cilën FBK planifikon ta hapë në shtator të këtij viti.

 

ZYRTARE: Arbëria prezanton sulmuesin e dytë për sot

Kosova U19 humb ndeshjen ndaj favorites së Evropianit