Përfaqësuesja U-21 nis përgatitjet për anti-Norvegjinë, ja lista dhe deklaratat e lojtarëve

Përfaqësuesja U21 e Kosovës është akomoduar sot në hotel “International Prishtina” në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019, kundër Norvegjisë, e cila do të zhvillohet më 12 qershor në Drammen.

Kombëtarja U21 sot pasdite ka mbajtur seancën e parë stërvitore në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, aty ku do t’i zhvillojë edhe tri stërvitje tjera para nisjes për në Norvegji, të premten në mëngjes.

Në mungesë të përzgjedhësit, Rafet Prekazi, i cili ndodhet në Tiranë për obligime zyrtare, trajnerit Erdogan Celina i asistoi trajneri i U17, Fadil Berisha dhe trajneri i portierëve Naser Prapashtica.

Në stërvitjen e parë u punua me intensitet më të vogël, por tek lojtarët u vërejt vullnet dhe dëshirë e madhe për punë. Kryesisht u puna në aspektin tekniko-taktikë, por edhe në lojën sulmuese dhe atë mbrojtëse. Stërvitjen e përcolli nga afër edhe drejtori teknik Michael Nees.

Kossovau21

Deklaruan pas stërvitjes

Erdogan Celina, trajner: “Të gjithë futbollistët e ftuar për ndeshjen me Norvegjinë janë paraqitur në stërvitjen e sotme, përjashto Besart Celinën i cili ndoshta do të na bashkohet këto ditë. Lojtarët kanë punuar shumë mirë dhe me vullnet po përgatiten për ndeshjen kundër Norvegjisë. Ata janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje dhe për faktin që na pret një kundërshtar shumë i fortë. Mendoj se e kemi kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur sa më mirë për këtë sfidë. Padyshim ardhja e Ardian Ismailit dhe Valmir Sulejmanit nga Kombëtarja A e ka rritur dukshëm vullnetin, por edhe konkurrencën në skuadër. Me siguri se me ardhjen e tyre do të jemi edhe më të fortë se në Irlandë, por duhet të jemi të vetëdijshëm se na pret ndeshje e vështirë dhe duhet të angazhohemi edhe më shumë se sa në ndeshjen e kaluar. Në dy stërvitjet e para do të ndihmohem nga trajneri Fadil Berisha, pasi përzgjedhësi Rafet Prekazi ndodhet në Tiranë për obligime zyrtare, por kjo nuk na pengon pasi ne punojmë me planprogramin të cilin e kemi bërë së bashku me Prekazin”.

kosovau21

Drilon Tejeci: Pas ndeshjes me Irlandën kemi pasur mundësinë të përgatitemi më shumë dhe tash besoj se me stërvitjet që do t’i bëjmë gjatë këtyre ditëve këtu, por edhe pas shkuarjes në Norvegji do të jemi kompakt. Tash kemi edhe përforcimet që kanë ardhur nga Kombëtarja A, të cilët do të na ndihmojnë shumë. Shpresoj të kalojmë sa më mirë në stërvitje dhe të shkojmë në Norvegji për të marrë rezultat pozitiv.

kosova3

 Lista e futbollistëve

Visar Beka, Ardit Nika, Betim Halimi, Kamer Krasniqi, Ardian Ismajli, Drilon Tejeci, Rron Statovci, Arian Kabashi, Besfort Kolgeci, Rron Broja, Albert Dabiqaj, Kushtrim Shabani, Ylber Maloku, Florent Hasani, Almir Ajzeraj, Bersant Celina, Adenis Shala, Mendurim Hoti, Ardit Gashi dhe Valmir Sulejmani.

kosovaau21