“Përbindëshi” kuqezi: Flamurtari nuk ka pësuar gol në 11 ndeshjet e fundit

1000 minuta pa pësuar gol. Kjo është statistika “përbindëshe” që ka arritur Flamurtari, që po bën hapa të sigurt drejt rikthimit në Superligë.

Kuqezinjtë nuk e kanë pësuar asnjë gol në 10 ndeshjet e fundit në Ligën e Parë dhe një në Digitalb Kupë, që llogaritur me minutat shtesë, kalojnë shifrën 1000 minuta pa pësuar gol.

Në një bisedë me gazetën, kapiteni Fidan Hasani flet për formën e skuadrës, duke shpresuar që ai me shokë do ta mbajnë vendin e parë deri në fund të kampionatit.

“Me ndeshjen ndaj Vushtrrisë janë bërë 10 ndeshje në kampionat pa pësuar asnjë gol dhe kur ia shtojmë atë të Kupës, bëhen 11 në total. Sulmi i mirë e fiton një ndeshje, por mbrojtja e fortë e fiton kampionatin”, deklaroi Hasani për “GazetaOlle.com”.

“Mendoj që kemi një grup shumë të mirë të fubollistëve dhe shpresoj të vazhdojmë me lojëra të mira deri në fund të kampionatit. Nuk besoj që do të na ikë vendi i parë. Flamurtari e ka vendin në Superligë”, shtoi mbrojtësi prishtinas, i cili është shtylla e Flamurtarit.

Pas 18 ndeshjeve të zhvilluara këtë sezon, Flamurtari kryeson renditjen e Ligës së Parë me 38 pikë, një më shumë se Vëllaznimi që është i dyti me 37.