Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë dhe Rubin Kazan, Mirlind Daku, ka dhënë një intervistë ku ka folur për mediat ruse pas formës së mirë që po kalon.
Në një intervistë për mediumin Metaratings.ru, ai fillimisht është ndalur në faktin që nuk është ftuar te Kombëtarja e Shqipërisë në mars, ku ka mbetur edhe më pak se një muaj e gjysmë për të filluar Euro 2024.
“Edhe për faktin që nuk jam thirrur në kampin e fundit stërvitor, përpiqem ta shikoj pozitivisht. Unë gjithmonë jap maksimumin për Shqipërinë dhe do të bëj çdo përpjekje për ta ndihmuar ekipin”.
“E di që kam cilësi të mira dhe e di që e kam ndihmuar ekipin për Euro 2024. Por për të shkuar në Gjermani duhet të shtoj akoma. Kështu që më e rëndësishmja për mua tani është të kem një fund cilësor të sezonit me Rubinin”, ka thënë fillimisht Daku,
Ai pastaj është ndalur te grupi ku bën pjesën Shqipëria në Euro 2024, ku ka diskutuar edhe për forcën që ka ekipi kuqezi.
‘Po, ne e dimë se sa i vështirë është grupi ynë. Spanja, Italia, Kroacia janë disa nga skuadrat më të forta në botë. Por në të njëjtën kohë, ne kemi edhe një ekip të shkëlqyer dhe lojtarë të shkëlqyer. Do të bëjmë gjithçka për të treguar cilësitë tona më të mira dhe për të përfaqësuar siç duhet Shqipërinë në Euro”, deklaroi Daku.
Sulmuesi gjilanas tregoi se cila është pika më e fortë e Shqipërisë që duhet ta përdorë ndaj rivalëve të saj në grup.
“Atuti ynë është që shkojmë në Euro pa asnjë stres. Në fakt, tashmë detyra jonë ka përfunduar, sepse kemi arritur në turneun final. Ne do të përpiqemi t’i befasojmë të gjithë”, nënvizoi sulmuesi i Rubin Kazan.
Daku nuk iu ka shpëtuar pyetjeve për interesimin e klubeve nga Moskës, por ai ka thënë se për momentin është i fokusuar të luajë për Rubin.
“Sigurisht që është mirë kur te lind një interes i tillë. Po, kam dëgjuar për këto thashetheme, por tani jam i fokusuar vetëm te Rubin. Kam respekt të madh për klubin dhe njerëzit që punojnë këtu. Kemi mbetur edhe katër ndeshje në fund të sezonit. Kështu që të gjitha mendimet e mia tani lidhen vetëm me këtë. Do të doja ta ndihmoja Rubinin të merrte vendin më të lartë të mundshëm në kampionat”, përufndoi Daku.
Kujtojmë se në tetë ndeshje të Rubinit pas pushimit dimëror, Daku ka shënuar 3 gola dhe 3 asistime. Në total këtë sezon sulmuesi shqiptar ka 7 gola dhe 4 asistime. /Telegrafi/