Në vigjilje të hapjes së kampanjës 2024/25 është paraqitur para mediave edhe kryetrajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu.
Tekniku i kuqebardhëve vuri në theks objektivin e drejtuesve të klubit duke nisur nga sinqeriteti dhe deri te suksesi.
“Projekti është shumë i qartë dhe mënyra e komunikimit së bashku me drejtuesit janë faktori kryesor dhe faktori bindës që unë jam këtu për të udhëhequr këtë projekt. Ne së bashku me stafin teknik kemi një plan të cilin synojmë ta implementojmë nga viti në vit, në mënyrë që kjo skuadër të ngritet në nivelet më të larta, së bashku me presidentin dhe drejtuesit të cilët do të punojnë maksimalisht në këtë drejtim”.
“Oferta ishte shumë e pastër, shumë korrekte dhe shumë e menduar mirë nga drejtuesit, duke përcaktuar udhëheqësit e këtij projekti. Sa i përket pjesës së kaluarës time, unë gëzoj rrespekt gjithmonë për ish-drejtuesit, për tifozët dhe vetë klubin. Por, tani jam këtu, bashkarisht me stafin tim për të punuar për Gjilanin. President, drejtues, futbollist dhe tifoz duhet të bëhemi të gjithë një për të shkruar historinë”.
“Ideja e vitit të parë është ndërtimi i skuadrës me një organizim të madh, do të kërkohen edhe objektiva, mirëpo jo me çdo kusht. Futbolli është një process që don kohë, në përbërje do të kemi shumë ndryshime dhe ne nuk e kemi shkopin magjik për ta bërë atë menjëherë. Do mundohemi me stafin që t’i përcjellim idetë tona te futbollistët, në mënyrë që të ambientohen sa më shpejtë”.
“Do mundohemi të ngrisim ekipin në të gjitha nivelet. Nuk do premtojmë që do të marrim këtë sukses, apo atë sukses, por do të punojmë për të arritur atë sukses, pasi që për këtë arsye jemi këtu”.
“Ambicjet na kanë bashkuar me drejtuesit. Duhet të jemi me këmbë në tokë, më shumë të punojmë se sa të flasim”.
“Duhet të ja lëmë gjithçka kohës. Premtoj shumë punë dhe disiplinë, si nga ana ime, po ashtu edhe nga ana e stafit tim. Do të analizojmë çdo detaj më të vogël, në mënyrë që ekipi të hec në mënyrën më të drejtë. Besoj fuqishëm në punën tone dhe besoj që do të arrijmë sukseset nga puna jonë”.
“Normalisht që fokusin do ta kemi edhe nga futbollistët e rinj. Do të shiqojmë se çfarë mund të afrojmë nga ekipi i 21 vjeçarëve, por do t’i ndjekim ndeshjet edhe të moshave të tjera”. perfundoi Nuhiu.