Për çka është i lumtur Calhanoglu

Hakan Calhanoglu së fundmi ka përfunduar në radarët e Barcelonës dhe ky fakt e mbush me krenari futbollistin turk të Bayer Leverkusen. 21-vjecari ka shfaqur një formë të shkëlqyer që nga transferimi i tij në verë nga Hamburgu te Aspirinat për 14,5 milionë Euro. Edhe pse menaxheri i Calhanoglu pak ditë më parë theksoi se klienti i tij nuk po mendon të largohet nga Bayer Leverkusen, vetë futbollisti e pranon se kur dëgjon në media që emri i tij përmendet si një përforcim i mundshëm i Barcelonës ndihet shumë mirë.

“Nuk ka asnjë ofertë zyrtare të Barcelonës në drejtimin tim, megjithatë jam ndierë krenar kur kam dëgjuar zërat për një transferim të mundshëm timin në Camp Nou. Nëse do të ketë dicka konkrete më pas duhet të pyesni menaxherin tim, por unë aktualisht ndihem mirë te Bayer Leverkusen. Kam një sërë objektivash për të realizuar këtu dhe i pari është të eliminojmë Atleticon e Madridit nga Uefa Champions League”.

Në vijim Calhanoglu foli edhe për të ardhmen e tij në kombëtaren turke. Ai sëfundmi nuk është grumbulluar nga trajneri Fatih Terim pasi përpara disa muajsh vendosi të mos bashkohej me kombëtaren nëse pjesë e skuadrës do të vazhdonin të ishin Gokhan Tore dhe Omer Toprak dy futbollistë që i kishin bërë një shaka të hidhur Calhanoglu-së duke i drejtuar atij një pistoletë në fytyrë gjatë një grumbullimi të kombëtares. Gjithsesi 21-vjecari ka bërë prapakthehu dhe është gati të ndihmojë Turqinë nëse do të thirret sërish në aksion nga Fatih Terim.

“Terim ishte në BayArena për të më ndjekur në ndeshjen ndaj Atleticos së Madridit. Kam biseduar me të sëfundmi dhe shumë shpejt mund të jem sërish pjesë e kombëtares. Më mungon përfaqësuesja pasi dua të vazhdoj të luaj për Turqinë. Nëse Terim do të më grumbullojë do të jap gjithcka në fushë ndaj Holandës në 28 Mars”.