Penza-Prishtina, finalja e ‘play-off-it’

Penza e ka mposhtur Bashkimin edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të “play-off”-it në Ligën e Femrave dhe kështu është radhitur në finale, aty ku e pret ballafaqimi me Prishtinën, skuadër kjo që në gjysmëfinalen tjetër në të dyja ndeshjet e ka mundur bindshëm Trepçën.

Ndërkaq takimi i luajtur sot në palestrën e sportit “Sezai Surroi” të Prizrenit ka përfunduar me rezultat 71:36 në të mirë të pejaneve.

Ndeshja e parë finale ndërmjet Penzës dhe Prishtinës do të luhet në fundjavë në “Karagaçi” pasi Penza e ka përparësinë e terrenit vendas, kurse ajo e kthimit në fundjavë në kryeqytet. Skuadra që shënon dy fitore do të shpallet kampione e Kosovës.

Duhet theksuar se kampione në fuqi është skuadra bardhekaltër, derisa ajo pejane në shkurt të këtij viti është shpallur fituese e Ipko Kupës së Kosovës. Penza në këtë edicion nuk e ka pësuar asnjë humbje të vetme, duke dominuar kështu në elitën e basketbollit femëror në vendin tonë, kurse në anën tjetër Prishtina është mposhtur 3 herë nga ekipi pejan, 2 herë në kuadër të edicionit të rregullt dhe 1 herë në finale të Ipko Kupës së Kosovës.

Në ndeshjet finale pritet rivalitet ndërmjet këtyre dy ekipeve, por që favorite vlerësohen pejanet, të cilat në këtë edicion disa herë e kanë dëshmuar superioritetin e tyre në Ligën e Femrave.