Peja luan për të bërë histori

Basketbollistët e Pejës, të martën, dalin në parket me vetëm një qëllim. Të bëjnë histori për klubin e tyre dhe Kosovën.

Nënkampionia e Kosovës në palestrën “Karagaçi” pret skuadrën bullgare Rilski Sportist, në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës Ballkanike.

Ndeshja nis në orën 19:30 dhe Pejës i duhet fitorja apo edhe barazimi për të shkuar në finale të kësaj gare rajonale, pasi ndeshjen në Bullgari para një jave e fitoi me rezultatin 62:63.

Te Peja nuk llogarisin shumë në këtë fitore, por kanë parasysh rëndësinë e ndeshjes, mbase më të rëndësishme për klubin, transmeton Koha.net.

“Nuk kemi opsion tjetër përpos fitores nëse duam të kualifikohemi në finale. Shkuarja në finale është synimi ynë më i madh dhe shpresoj t’ia dalim mbanë para tifozëve tanë”, ka thënë basketbollisti i Pejës, Drilon Hajrizi, të hënën. Presioni tash është mbi klubin kosovar dhe Hajrizi kërkon edhe ndihmën e publikut.