Kampioni i Kosovës në basketboll, Peja, ka vazhduar me transferime, për tu bërë gati për një sezon të madh që po na pret.
Pasi rinovoi kontratën me trajneri Rami Hadar, klubi ofroi edhe emra si Malcolm Armsteadin, Larry Thomas, Meriton Ismaili, Jacob Calloëay, Arian Qallaku dhe Trevel Beck.
Sot klubi pejan ka konfirmuar ardhjen e Justin Davis, Lis Shoshit dhe Dion Sheqirit.
Amerikani Justin Davis, do të jetë pjesë e ekipit pejan për edicionin 2023/24. 26-vjeçari luan në pozitën tre, ndërsa edicionin e fundit ka bërë karrierë në Portugali.
Ai ishte pjesë ekipit elitar, Lusitania dhe ka luajtur me një mesatare prej 16 pikëve, 9 kërcimeve dhe 2 asistimeve për ndeshje. Peja, do të jetë ekipi i dytë në Evropë për amerikanin.
Në anën tjetër Lis Shoshi është një rikthim në klub, ku për Pejën do të mbrojë ngjyrat në edicionin 2023/24.
Shoshi, së fundmi është rikthyer nga lëndimi dhe ishte pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në fazën e tretë të parakualifikimeve për “Euro 2025”.
29-vjeçari nuk ka luajtur për asnjë klub që nga viti 2021, ndërsa ekipi i tij i fundit ishte Maccabi Rishon në Izrael.
I fundit i ardhur sot është qendra Dion Zeqiri, lojtar i Përfaqësueses së Kosovës.
19 vjeçari së fundmi ka qenë pjesë e klubit italian Allianz Pallacanestro Trieste.