Peja: Ja çka na bënë tifozët e Prishtinës

Klubi basketbollistik, Peja, nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook ka treguar arsyet e mospranimit të vazhdimit të finales së tretë ndaj Prishtinës. Sipas njoftimit zyrtar të klubit, “Shqiponjat” janë ndier të kërcënuar dhe shantazhuar gjatë gjithë ndeshjes nga tifozët e Prishtinës.

“PEJA dëshiron të njofton basketbolldashësit dhe tifozët e saj se që nga momenti i hyrjës në sallë e deri në përfundim te pjesës së parë të ndeshjes, ekipa dhe kryesia ishin fyer, kërcënuar e shantazhuar në mënyrën më të keqe. Në përfundim të pjesës së parë disa huliganë kanë kaluar anën e ulëseve tona dhe kanë sulmuar zyrtarë të klubit tonë. Pas këtij momenti është arrestuar një anëtar i vjetër i kryesisë”, thuhet në njoftimin e KB Pejës.

Pas arrestimit të anëtarit të kryesisë, sipas njoftimit të Pejës, klubi pejan ka kërkuar masa shtesë në fushë për të mos rrezikuar sigurinë e ekipit dhe zyrtarëve të klubit.

“Me kërkesën e disa zyrtarëve të Policisë së Kosovës ekipi jonë ka qëndruar pranë derës së hyrjes derisa policia të vlerësojë sigurinë në sallë”, thuhet në mes tjerash në këtë njoftim.

Peja thotë se kryetari i klubit dhe anëtarët tjerë kishin dhënë vendim për rikthim në fushë, por kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, kishte kërkuar që pauza të shtyhej për 15 minuta për shkak të rrethanave të krijuara, kërkesë që nuk u respektua nga gjyqtar i ndeshjes.

“KB Peja çdo herë ka punuar për të mirën e basketbollit dhe do vazhdoj të punoj edhe në të ardhmen, por në momente kur cenohet siguria e ndonjërit prej anëtarëve të klubit ne vepruam si çdo klub apo institucion, kërkuam masa të shtuara të policisë”, ka njoftuar KB Peja.

Në fund të njoftimit, pejanët theksojnë se shpresojnë që të merret një vendim i drejtë nga Federata.