Pas rezultateve të dobëta të Kosovës trajneri aktivizon veten

Humbja e tri ndeshjeve në fazën e parë të botërorit ekipor të pingpongut e ka “detyruar” përzgjedhësin e Kosovës, Besart Domaniku, që të veshë rrobat sportive dhe të kapë raketën në dorë.

Përfaqësuesja e Kosovës në pingpong këtë javë kishte humbur tri përballjet e para, të luajtura në kuadër të Grupit N të divizionit të katërt, që është më i dobëti. U mposht me rezultat 3:1 nga Mauritiusi dhe Togo dhe me rezultatin 3:2 nga Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan sot Koha Ditore.

Në fazën e parë për Kosovën luajtën vëllezërit Linor e Baton Çitaku dhe Ylli Prestreshi. Kosova përfundoi e fundit në grup dhe prej së enjtes garoi për rangim final, për pozitat e fundit në botëror, prej 81 deri në 87.

Për ndeshjen e parë të fazës së dytë, përzgjedhësi i Kosovës, Besart Domaniku vendosi të bëjë një ndryshim në formacion. Në vend të Prestreshit, Domaniku u aktivizua vetë. Ky ndryshim doli i suksesshëm. 45-vjeçari fitoi përballjen vendimtare, ndërsa Kosova fitoi 3:2 ndaj Marokos.

Domaniku ishte i regjistruar edhe si lojtar për botëror, ndonëse zyrtarisht e mban postin e përzgjedhësit. Të drejtën e lojës e shfrytëzoi. Ai fitoi 3:0 në sete ndaj Abdellah Reda në përballjen vendimtare ndaj Marokos. Fillimisht Linor Çitaku e Domaniku pësuan nga një humbje me 3:2 në sete, ndërsa më pas fituan dy vëllezërit Çitaku dhe në fund edhe përzgjedhësi, që është ndër pingpongistët më të mirë që ka pasur ndonjëherë Kosova.