‘Partizanin e themeluan komunsitët, ekipi i vetëm shqiptar me trofe ndërkomtarë’

Faqja zyrtare në internet e klubit norvegjez Stromsgodset, kundërshtarit të Partizanit në Ligën e Europës, ka bërë një shkrim të zgjeruar se kush janë “demat e kuq”:

“Partizani konsiderohet si një nga klubet më të mëdha në Shqipëri, me 15 tituj kampioni dhe 15 Kupa të Shqipërisë. Klubi u themelua nga Partia Komuniste Shqiptare në vitin 1946 dhe shkoi direkt në ligën e parë. Ata e fituan titullin e parë kampion në vitin 1947. Pas kësaj ata fituan disa tituj dhe kupa në vendin e tyre, derisa ra regjimi i Partisë Komuniste, në vitin 1990”.

“Që atëherë, Partizani ka fituar trofe të paktë. I vetmi titull i marrë që pas rënies së komunizmit dhe diktaturës në Shqipëri erdhi në vitin 1993. Ata, gjithashtu, fituan Kupën e Shqipërisë në vitin 1991, 1997 dhe 2004. Kjo do të thotë, pra, se klubi që dominonte para viteve 1990, tani ka 11 vjet pa trofe kombëtarë dhe 22 vjet pa titull kampion. Partizani jo vetëm ka kaluar shumë kohë pa trofe, por ka shpenzuar edhe kohë në kategoritë inferiore. Vetëm në dy-tri vitet e fundit është rikthyer në elitë. Në sezonin që përfundoi kohët e fundit, Partizani u rendit në vendin e 3-të të Superligës, duke siguruar në këtë mënyrë pjesëmarrjen në Kupat e Europës”.

“Përkundër faktit se kurrë nuk kanë arritur plotësisht për të konkurruar ndërkombëtarisht, ata kanë ende një trofe ndërkombëtar. Madje është i vetmi ekip shqiptar, që mund të krenohet në këtë drejtim, sepse ka bërë të vetën Kupën e Ballkanit në vitin 1970, pas fitores kundër Beroe Stara Zegora. Klubi, gjithashtu, ka disa lojtarë të ekipit kombëtar në përbërje. Mesfushori Emiljano Vila është njëri prej tyre, që në 27 ndeshje të luajtura me Shqipërinë ka shënuar 3 gola”.

“Edhe mbrojtësi Endrit Vrapi ka zhvilluar 12 ndeshje me ekipin kombëtar shqiptar, para se të largohej që aty në vitin 2011. Po ashtu, Ditmar Bicaj dhe Arbnor Fejzullahu (dy mbrojtës) kanë provuar të grumbullohen me kombëtaren e tyre. Përveç kësaj, portieri Alban Hoxha grumbullohet me Shqipërinë, por ende nuk ka bërë debutim. Kapiteni Nderim Nexhipi ka luajtur me kombëtaren e Maqedonisë në një ndeshje miqësore në vitin 2012”.

“Në merkaton e kësaj vere është afruar një mbrojtës qendror, një mbrojtës i majtë, një mesfushor qendror dhe një në krahun e majtë. Mbrojtësi qëndror, Ditmar Bicaj, vjen nga futbolli iranian. Të gjithë lojtarët e afruar këtë verë te Partizani janë nga Shqipëria. Deri më tani, këtë verë, ata kanë humbur Amir Rrahmanin, i cili është pjesë e kombëtares së Shqipërisë. Rrahmani ka nënshkruar për kroatët e RNK Spliti. Edhe Ardian Cuculi, 27-vjeçar, me 6 ndeshje të luajtura për kombëtaren maqedonase, u largua drejt Shkëndijës së Tetovës, ndërsa Arben Muskaj u kthye te PAS Janina”.

 “Ndër të tjera, vlen të përmendet trajneri 59-vjeçar, që është shqiptar, Sulejman Starova. Ai e mori përsipër përgjegjësinë për ta ushtruar përkohësisht detyrën e trajnerit, pasi Shpëtim Duro dha dorëheqjen më 29 maj të këtij viti, por duket se do ta vijojë misionin deri në fund të sezonit të ri futbollistik. Nga lojtarët që Starova ka në dispozicion, me pasaportë joshqiptare, është sulmuesi serb Stevan Raçiç, 31-vjeçari me gjatësi 194 cm. Mosha mesatare e skuadrës është 24.7 vjeç, dmth pothuajse e njëjtë si në klubin tonë”.

Tifozëria

Sa i përket tifozërisë, kemi bashkim të të gjitha grupeve në një “çati”. Ajo mban emrin “Ultras Guerrils 08-09” dhe është konsideruar si një prej grupeve më mbështetëse në Ballkan.