Partizani zbulon ofertat për Arbnor Fejzullahun

Arbnor Fejzullahu pa dyshim është një nga lojtarët që ka spikatur më së shumti te Partizani në javët e fundit. Rasti më i freskët u regjistrua ndaj Vllaznisë, ku dha dy asiste goli për Xhevahir Sukajn.

Kjo nuk është rastësi, pasi mbrojtësi nga Presheva edhe në edicionin e shkuar ka qenë një nga më të mirët për kryeqytetasit.dervishi Falë paraqitjes së tij të mirë, mësohet se është rritur interesi për shërbimet e mbrojtësit të Partizanit. Përpos tri ofertave zyrtare që klubi i kuq ka marrë nga Turqia, mësohet se interesa ka edhe nga Italia dhe Zvicra. Gjithsesi, fati i Fejzullahut është në dorë të presidentit Gaz Demi, pasi lojtari është nën kontratë me të kuqtë.

I pyetur nga “Panorama Sport” rreth zërave të merkatos që lidhen me të ardhmen e 23-vjeçarit, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Dritan Dervishi, sqaroi situatën momentale të Fejzullahut. “Në klubin tonë, interes konkret për Arbnor Fejzullahun kanë shprehur tre klube turke, Gaziantepspor, si dhe klubet ku luajnë Sokol Cikalleshi dhe Alban Meha, Istambul Basaksehir dhe Konjaspor.

 

Zëra të pakonfirmuar ka edhe nga Italia apo Zvicra. Gjithsesi, ne u referohemi vetëm ofertave zyrtare që mbërrijnë në klubin tonë. Duke ditur se jemi të fokusuar te kampionati, kemi rënë dakord me klubet turke që bisedimet t’i kryejmë pas disa dy-tri jav- ësh.

 

Nuk është momenti që të flasim për merkato, pasi duhet të jemi të fokusuar tek objektivi madhor, fitimi i titullit kampion”, u shpreh së pari drejtori i të kuqve. Pyetjes se si i shikon ndeshjet e sotme të Kupës dhe se kush e fiton këtë trofe, Dervishi u shpreh:

 

“Nuk më interesojnë ndeshjet që zhvillohen sot, aq më shumë që në këtë ditë ne nisim përgatitjet për një ndeshje të rëndësishme, ku të hënën na pret transferta e Kukësit. Gjithsesi, duke ditur që kemi miq e dashamirës, uroj që Kukësi të fitojë Kupën dhe Teuta të sigurojë biletën e fundit për në Europë. E them këtë pasi në këto dy klube kam edhe miqtë më të mirë”.