Partizani prek Evropën pas 7 vitesh

Partizani rikthehet në arenën europiane pas një mungese 7 vjeçare, duke bërë që ky sezon edhe pse për një moment ngjalli dëshirën e titullit kampion, duhet të konsiderohet i suksesshëm.

Të kuqtë e kryeqytetit siguruan rikthimin në Europa League, aty ku për herë të fundit kanë luajtur më 31 Korrik të vitit 2008. Një periudhë e gjatë pa shijuar emocionet europiane për një skuadër me emër dhe histori në futbollin shqiptar. Eliminimi nga skuadra boshnjake Shiroki Brieg pikërisht në “Qemal Stafa” u shoqërua me periudhën më të errët në historinë e Partizanit, që u fundos në kategoritë më të ulëta të futbollit shqiptar.

Por rikthimi i 15 herë kampionëve në elitën e futbollit në vend u shoqërua me pjesëmarrjen në Europa League, një objektiv që nuk u sigurua që në sezonin e parë të rikthimit. Partizani qëndroi në garë për të fituar titullin për një kohë të gjatë, madje duke kryesuar në shumë javë kampionatin, por në fund u kënaq me objektivin e vendosur që në fillim të sezonit, rikthimin në Europë. 7 vite agjërim kanë shtuar dëshirën tek Partizani që rikthimi në Europë të shoqërohet me një kualifikim, mision që mungon prej 29 Korrikut 2004, kur të kuqtë eliminonin skuadrën malteze Birkirkara.