Paraqitje e mirë e futbollistëve shqiptarë, trajneri Sylvinho ndjek nga afër dy ndeshje në Serie A

Futbollistët e Kombëtares shqiptare janë rikthyer sërish në fushën e blertë pas periudhës së pushimeve dimërore, duke dhuruar paraqitje pozitive në fushë, ku nuk kanë munguar as golat.

Sulmuesi kuqezi, Sokol Cikalleshi po kalon një formë mjaft të mirë në kampionatin e Arabisë Saudite. Bomberi shqiptar kaloi në avantazh ekipin e tij Al Khaleej që në minutën e 9-të, teksa ky është goli i tretë i sulmuesit kuqezi në këtë sezon futbollistik. Edhe Ernest Muçi ka arritur të rikthehet sërish te goli, duke realizuar dopietë personale në miqësoren që Legia e Varshavës zhvilloi kundër Cukaricki-t.

Një fundjavë mjaft e veçantë ishte kjo për dy nga futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatin italian. Kjo pasi trajneri i ekipit kombëtar, Sylvinho ka ndjekur nga afër dy nga ndeshjet e Serie A ku aktivizohen dy prej kuqezinjve. Të shtunën, trajneri brazilian ndoqi nga afër ndeshjen Inter-Hellas Verona, ku mesfushori kuqezi Kristjan Asllani u aktivizua për rreth 35 minuta.

Sakaq, të dielën, tekniku i ekipit kombëtar ndoqi ndeshjen tjetër të kësaj jave në kampionatin italian, Roma-Fiorentina, ku mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla u rikthye si titullar në radhët e verdhekuqve dhe luajti për 90 minuta. Pas fitores së Romës, djaloshi kuqezi mori edhe vlerësime nga trajneri i ekipit verdhekuq, Jose Mourinho, ndërsa sipas uebsajtit të specializuar për statistika, Kumbulla është vlerësuar me notën 7.3.

Ndërkaq, trajneri Sylvinho do të ndjekë edhe mbrëmjen e sotme ndeshjen tjetër të Serisë A, Empoli – Sampdoria, ku luajnë dy kuqezinjtë, Ardian Ismajli e Nedim Bajrami.

Edhe Frederic Veseli ka lënë pas dëmtimin, duke u rikthyer në fushë si titullar në radhët e Benevento-s në Serinë B, ndërsa minuta të plota ka pasur edhe për mbrojtësit e tjerë të Kombëtares shqiptare, Ivan Balliu e Elseid Hysaj. Gardiani i portës kuqezi, Elhan Kastrati zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në radhët e Cittadella-s në Itali, duke u vlerësuar me notën 7.9 nga ‘Sofascore’.

Pas transferimit në ekipin grek Panathinaikos, Enis Çokaj po gjen hapësirat e munguara, teksa edhe këtë fundjavë u aktivizua në fraksionin e dytë të ndeshjes kundër PAS Giannia-s. Ndërkaq, edhe Odise Roshi e Endri Çekiçi patën minutat e tyre me ekipet respektive në kampionatin turk.

Dalin detajet mahnitëse të transferimit të Mudryk te Chelsea: 25 milionë euro ushtrisë për luftimin e Rusisë, ndeshja miqësore dhe gjithçka tjetër

Kreshnik Bahtiri prezantohet te Ulpiana