Paraqitja fantastike e Dritës ndaj Antwerpit i bën përshtypje edhe mediumit serb: Klubi nga Kosova është sensacioni i këtij viti në Ligën e Konferencës

Drita e Gjilanit përsëri është bërë lajm në mediat evropiane dhe përsëri për një rezultat fantastik në Evropë.

Pasi vitin e kaluar zhvilluan 180 minuta të mëdha ndaj Feyenoordit, Drita u përballë me skuadrën e madhe belge Antwerp.

Gjilanasit bën një lojë fantastike duke arritur të marrë një barazim në ndeshjen e parë të zhvilluar në Belgjikë me rezultat të pastër 0-0.

Për suksesin e klubit gjilanas kanë shkruar media të ndryshme ballkanase dhe më gjerë.

Mediumi serb ‘B92‘, ka bërë një shkrim special për Dritën duke e titulluar: “Klubi nga Kosova është sensacioni më i madh i Ligës së Konferencës”.

“Futbollistët gjilanas të Dritës nga Kosova krijuan sensacionin më të madh në ndeshjet e para të xhiros së dytë të kualifikimeve për Ligën e Koferencës”.

“Drita tronditi tifozët e futbollit duke barazuar pa gola 0-0 me Antwerpin e Belgjikës jashtë shtëpisë së tyre”.

“Se sa i madh është rezultati i Dritës tregojnë emrat kryesorë të klubit belg – trajner është Mark van Bommel, ndërsa futbollistët janë emra të mëdhenj si Radja Nainggolan, Toby Alderweireld, Vincent Janssen, Richie de Lae apo Koji Miyoshi”, shkruan tutje mediumit serb ‘B92’.

“Ndonëse me 69% posedim të topit për Antwerpen dhe raportin 12:1 në goditjet drejt portës, nuk i mjaftuan klubit belg për të fituar”.

“Se sa befasues është ky rezultat, tregon edhe fakti se koeficienti i kompanive të basteve për barazim ishte 10. Ndeshja e kthimit është javën tjetër në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë”, ka shkruar mediumi serb. /Telegrafi/

Gjithçka gati për turneun ‘Fadil Vokrri’

Ekipi i Kosovës për të rinj u nis drejt Sllovakisë