Paqarada flet për largimin e Challandes dhe të ardhmen e tij te Kosova

Leart Paqarada nuk ka luajtur qe një kohë me Përfaqësuesen e Kosovës.

Mbrojtësi i majtë kishte vendosur vetë të qëndrojnë larg ‘Dardanëve’ derisa në krye të tyre do të ishte trajneri Bernard Challandes.

Tash, zvicerani u largua nga Verdhekaltrit dhe Kosova është në kërkim të trajnerit të ri.

Dhe, 27 vjeçari tash thotë se është i gatshëm të rikthehet në Kombëtare.

‘Nën drejtimin e trajnerit të vjetër, kishim ardhur në përfundim që nuk kishte më sens të isha pjesë e ekipit në atë mënyrë. Trajneri nuk është më. Dhe, tash do të shikojmë përpara’, deklaroi Paqarada për mediumin gjerman ‘Bild’.

Ai zbulon se e ka vuajtur shumë mungesën në ekipin kombëtar të Kosovës.

‘Të luash për vendin tënd është diçka mjaft speciale. Kam qenë gjithmonë atje në vitet e fundit, i ulur para televizorit me një dhimbje në zemër’, shtoi Paqarada.

Paqarada nuk u ftua për ndeshjet e nëntorit, por shpreson që nga viti tjetër t’i vijë ftesa nga Kosova.

Gjithashtu, një tjetër synim i Paqaradës është që sezonin tjetër të luajë në Bundesligë me St Paulin.

Ai i ka zhvilluar 43 ndeshje radhazi me ekipin gjerman dhe për këtë ndihet i lumtur.

‘Ndihem mjaft mirë. Trupi po e bën këtë pa problem. Edhe gjunjët dhe ijët po shkojnë mjaft mirë’, përfundoi Paqarada.

Sebastian Haller barazon rekordin e Ronaldos, por sonte CR7 mund të futet në histori të fazës së grupeve

Llapi nuk ndalet, transferon një nga lojtarët më të mirë nga akademia e Dritës