Pamje e re: ‘Bombonera’ humb origjinalitetin në 80 vjetorin e ndërtimit

Një nga stadiumet më të famshme të botës, Bombonera në Argjentinë mbushi këtë javë 80 vjet nga ndërtimi i tij.

Shtëpia e famshme e Boca Juniors është ndërtuar në vitin 1940 dhe u projektua nga arkitekti Jose Del Pini, i cili u frymëzua nga arkitektura italiane dhe në veçanti nga stadiumi i Firenzes.

Stadiumi quhet “Alberto Jose Armando”, por të gjithë e njohin me emrin “Bombonera” duke e krahasuar me një kuti çokollatash. Ai është i veçantë në llojin e tij, dallohet për entuziazmin që përcjellin tifozët në shkallët e stadiumit dhe atmosferën që krijohet në çdo ndeshje, transmeton ‘SS’.

Kundërshtarët shpesh thonë se kur luhet aty, toka tundet, ndërsa pikërisht aty filloi edhe karriera e legjendës argjentinase Diego Armando Maradona. Ajo që e ka bërë të famshëm këtë stadium, është forma që ka dhe ndarja e tribunave që po ta shohësh nga lart, duket si gërma D.

Në kohën që u projektua nuk kishte shumë hapësirë dhe arkitekti njërën prej tribunave e vendosi në formë vertikale, por ajo tribunë u bë simbol i impiantit në të gjithë botën.

Mesa duket tani situata do të ndryshojë pasi një projekt i ri do ta kthejë atë në një stadium normal. Është miratuar projekti për të ndërtuar edhe tribunë kryesore për ta bërë atë 360 gradë dhe për t’i dhënë fund veçantisë, por për t’i rritur edhe kapacitetin nga 57 mijë në 80 mijë, por në krahun tjetër duke humbur origjinalitetin e tij.