Pacolli uron Llapin për triumfin në finale, por kritikon shtetin për këtë arsye rreth Kupës së Kosovës

Llapi të mërkurën fitoi në finale të Kupës së Kosovës, duke u stolisur me këtë trofe për herë të parë në historinë 89-vjeçare të saj.

Llapi në finale mposhti Dukagjinin pas një drame e cila u mbyll në të mirë të llapjanëve, vetëm pas ekzekutimit të penalltive, shkruan Gazeta Olle.

Për këtë arritje të klubit, gjatë ditës së sotme nuk ka lënë pa uruar as ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Biznesmeni i njohur ka uruar nga zemra skuadrën fituese të Kupës së Kosovës, por edhe ka kritikuar institucionet e Republikës së Kosovës për neglizhimin e kësaj ngjarje të rëndësishme sportive.

Ky është shkrimi i plotë nga Behgjet Pacolli: 

“Mendoj, se fitimi i Kupës së Kosovës në futboll nga K.F. Llapi, kaloj sikur nje ngjarje e parëndësishme nga politika dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Kupa e Kosovës në futboll është një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive, sepse përfaqëson të gjitha nivelet e futbollit në rang nacional. Prandaj, dua të uroj nga zemra K.F. Llapin dhe tërë qytetarët llapjan për fitimin e Kupës së Kosovës në futboll. Uroj, që K.F. Llapi të na gëzoj edhe në garat Evropiane. Urime”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij zyrtar në Facebook.

/Gazeta Olle/