Otto John rikthehet në Superligë?

Skuadra e Prishtinës ende nuk ka bërë asnjë transferim në merkaton e janarit dhe po shikon me kujdes se si po ecin gjërat.

Prishtina e cila si zakonisht është në garë për kreun e tabelës do të ketë punë mjaft të madhe në edicionin pranveror në Superligën e Kosovës, pasi edhe skuadrat tjera që janë në pozitat e para janë përforcuar mjaft shumë deri më tani.

Megjithatë, as klubi i Prishtinës duket se nuk është në “gjumë”, pasi deri më tani ka punuar në heshtje.

Sipas burimeve të ‘GazetaBlic‘, klubi futbollistik i Prishtinës ka arritur marrëveshje me sulmuesin e Skënderbeut, Otto John.

Sulmuesi nigerian është i njohur për admiruesit i futbollit kosovar, pasi edhe në të kaluarën ishte pjesë e Superligës, ku shkëlqeu me Trepçën 89’, me ç’rast kishte shënuar 25 gola brenda edicionit 2016/17 me fanellën e mitrovicasve.

Otto John është aktualisht lojtar i Skënderbeut në Shqipëri – por nuk po gjen hapësirat e duhura në Kategorinë Superiore, andaj klubi i Prishtinës ka përfituar nga ky rast duke kërkuar transferimin e tij.

Klubet janë në bisedime dhe janë shumë pranë akordit për kalimin e John nga Skënderbeu tek Prishtina.

Sulmuesi i njohur mund të prezantohet tek klubi i Prishtinës në fillimin e javës së ardhshme.