Osmani: Ndryshimet në kryesi e futën Trepçën në krizë

‘Ikona’ e futbollit mitrovicas, Elvis Osmani, tash e një kohë jeton në Finlandë. Lojtari i njohur si ‘Eki’, nuk po mund të ndahet me futbollin kosovar e sidomos klubet nga qyteti i Mitrovicës, Trepça e Trepça ’89.

Osmani e ka shfaqur shqetësimin e tij për Trepçën, në një prononcim për Gazetën ‘Olle’, Ky klub që nuk po kalon ditë të mira. Kur kanë mbetur edhe 11-xhiro deri në përfundim të këtij edicioni, ‘Xehetarët’ ndodhen në vendin e fundit me vetëm 15 pikë të tubuara dhe janë kandidat shumë serioz për të rënë nga rangu elitë. “Edhe mua sikurse të gjithë mitrovicasve, më vjen shumë keq që Trepça ka ardhur në këtë gjendje. Ndoshta është pritur se do të vijë kjo situatë. Tash e tri vite Trepça po përballet me kriza të ndryshme. Mendoj se ndryshimet që kanë ndodhur në kryesi tri vite më parë, kanë ndikuar në këtë aspekt. Nuk po them për kryetarin Nexhmedin Haxhiu, pasi që ai është njeri i cili e njeh futbollin dhe e di mirë se çka i duhet Trepçës”, ka thënë Elvis Osmani.

Në pyetjen se për cilat ndryshime është duke aluduar, Osmani deklaroi: “Nuk po dua që të përmend emra. Por, me largimin e Hajrullah Haxhiut, Trepça e mori teposhtëzen”. Osmani si kapiten në vitin 2010 e drejtoi Trepçën në rrugën drejt titullit kampion.