Optimizëm në të dyja taboret: Batatina krahason Llapin me Barcelonën, Kuç dhe Gashi premtojnë maksimumin

Të dielën zhvillohet derbi i xhiros së 23-të në Superligën e Kosovës në futboll, ndërmjet Ballkanit dhe Llapit. 

Mesfushori i Ballkanit, Edvin Kuç, flet para ndeshjes së rëndësishme, shkruan Gazeta Olle.

“Luajmë në Suharekë dhe jemi në rolin e favoritit, por futbolli nuk ka garancion, një gjë është e sigurtë që unë dhe bashkëlojtarët do japim maksimumin për të fituar dhe për të fituar të dielën”, tha Kuç, për TV Dukagjinin.

Edhe mesfushori tjetër i suharekasve, Kushtrim Gashi flet para duelit të vështirë me Llapin.

”Kemi përgatitur gjatë javës të gjitha ato pikat e forta dhe pikat e dobëta që ka skuadra e Llapit, dhe mendoj se do ti qasemi ndeshjes me shumë seriozitet”, tha Gashi.

Për duelin e së dielës foli edhe kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina.

“Mendoj se do të jetë një ndeshje jo e lehtë për Llapin, një ndeshje e vështirë, duke e ditur që të dy skuadrat janë në një formë të mirë, edhe Ballkani e ka filluar këtë stinor pa humbje, ashtu sikurse edhe Llapi. Besoj se do të jetë një lojë e bukur për shikuesit”, tha fillimisht ai.

Batatina ishte kritik për fushën në Suharekë, pasiqë ka tapetin artificial, teksa edhe krahasoi ekipin e tij me atë të Barcelonës.

“Kam thënë që kur të rikthehen Llapi dhe Barcelona do ta thonë fjalën kryesore”, tha Batatina.

Edhe dyshja e Llapit, Bujar Idrizi dhe Valmir Veliu u prononcuan për ndeshjen ndaj Ballkanit.

“Për këtë ndeshje shpresojmë të shkojmë dhe të arrijmë një rezultat pozitiv. Shpresojmë të kemi këtë ecuri të rezultateve, ne nuk i frikësohemi askujt dhe shkojmë për rezultat pozitiv”, tha Idrizi.

Optimist para ndeshjes ishte edhe ylli i skuadrës, Valmir Veliu.

“Siç dihet Ballkani ka një seri të mirë, është në formë të mirë, por ne do të luftojmë, do të shkojmë për një rezultat pozitiv dhe shpresoj që t’ia arrijmë”, tha Veliu.

Kronika e plotë. /Gazeta Olle/

Genc Nuza shpallet gjyqtari më i mirë i Prishtinës për vitin 2021

Sot zhvillohen dy ndeshje të xhiros së 23-të në Superligë, vëmendja në Klinë