“Olle” formacioni i javës në Vala Superligë

Redaksia e Gazetës Olle ka përpiluar formacionin më të mirë të javës së parë të Vala Superligës për edicionin 2017/18, duke u bazuar në paraqitjet individuale të futbollistëve dhe rezultatet e skuadrave të tyre në xhiron hapëse.

PORTIERI – Fantastik në Podujevë. Fluturoi herë në të majtë dhe herë në të djathtë për të ruajtur portën e Drenicës. Flamur Neziri ishte kuqeziu më i mirë në fushë të shtunën në humbjen 1:0, rezultat i cili është kaq i ngushtë vetëm fal tij. Ah për pak e harruam, ajo pritja me këmbë në vijën e fundit, ishte perlë!

MBROJTJA – Në të djathtë Drilon Musaj i Dritës, që shkëlqeu ndaj Prishtinës. Sikur e kishte një “stop” të komunikacionit për Mentor Mazrekajn, i cili bëri paraqitje për t’u harruar. Dy lojtarët tjerë janë Fidan Gërbeshi, po ashtu nga Drita dhe Alban Dragusha, që ishte stabil në mbrojtjen e Vëllaznimit, që gjithsesi luajti në mënyrë fantastike prapa me gjithë skuadrën.

MESFUSHA – E nisim nga Albutrint Morina. Kapiteni i Vëllaznimit që drejtoi anijen kuqezi drejt suksesit me Lirinë, duke shënuar gol e duke qenë motor i pandalshëm në mesfushën gjakovare, luajti për 95 minuta i sëmurë! Atij i bashkohet Mentor Zhdrella që ri-gjen shkëlqimin te Llapi, Filonit Shaqiri që ishte shumë i mirë për Gjilanin ndaj Besës dhe Muharrem Jashari, i cili shënoi gol dhe bëri asistim për Trepçën ’89 ndaj Flamurtarit.

SULMI – Secili më vendimtar se tjetri. Heroi i fitores së Dritës ndaj Prishtinës, Xhevdet Shabani dhe dy sulmuesit tjerë që me golat e tyre iu dhanë fitoret Feronikelit dhe Llapit, Granit Arifaj dhe Mirlind Daku. Mbase golat e tyre mposhtin konkurrencën e fortë të Dardan Rogovës së Vëllaznimit, i cili ishte i pandalshëm dhe shpërthyes ndaj Lirisë.

FORMACIONIIIIIIII