Olsi Rama kërkon që Shqipëria të marrë shembull Kosovën për ligjin e sponsorizimit

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, nuk është plotësisht dakord me vendimin dhe kërkesat e klubeve të Superiores kundrejt qeverisë.

Gjithsesi, Olsi Rama është pro ligjit të sponsorizimit, ku në këtë rast është në kah të kundërt të vëllait kryeministër, ku edhe ai është i mendimit se duhet kopjuar modeli i Kosovës, por Rama është kundër faljes së gjobave, pasi klubi që ai drejton ka qenë gjithnjë i rregullt duke zbatuar ligjet.

“Mund të jap shembullin e Kosovës, që është një vend që ka aplikuar një ligj favorizues për zhvillimin e sportit. Po shohim që dita-ditës klubet kosovare po konkurrojnë me Superligën shqiptare, duke tërhequr edhe futbollistë cilësorë.

Paketa e ndihmës ose paketa e favorizimeve fiskale ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e futbollit në Kosovë. Komuniteti i sportit ka bërë kërkesa, sepse është ndier një nevojë për një hap cilësor të sportit dhe legjislacioni aktual nuk është favorizues, sidomos për bizneset që duan të investojnë në sport. Për arsye, sepse deri tani sporti nuk është një produkt aq i shitshëm. Për ta bërë këtë, duhet që bizneset të ndihmohen me favorizime fiskale. Duhet patjetër ndihmesa fiskale.

Me e rëndësishme nga të gjitha është pjesa e ligjit të sponsorizimit, që bizneset të hyjnë në futboll dhe të rrisin investimet. Të gjitha janë të rëndësishme. Unë personalisht nuk jam dakord për faljen e gjobave, sepse Partizani ka qenë një klub shembull dhe ne kemi paguar në mënyrë të rregullt të gjitha tatimet”, vijoi Olsi Rama.