‘Olle’ vakitë e xhiros së 19-të

Xhiroja e 19-të e Superligës vjen me disa vaki interesante. Kacafytje futbollist-nënkryetar, dhuratë nga Lazio pas ‘treshes’ së Drenicës dhe shumë të tjera. Më poshtë i gjeni ‘Olle-vakitë’ e javës së tretë të pranverës.

  • Xhiroja e tretë solli shkarkimin e parë në pranverë. Fahredin Duraku i 89-shit shkoi në shtëpi pas humbjes ndaj Hajvalisë 4:2, për t’u zëvendësuar më pas nga Afrim Tovërlani.
  • Pasi hëngri tri gola nga Drenica, portieri i Besës, Flamur Neziri, pranoi një dhuratë të bukur nga mesfushori i Lazios, Cristian Ledesma. Ai ia dërgoi një palë këpucë sportive gardianit prishtinas përmes Etrit Berishës.
  • Kacafytje mes futbollistit dhe nënkryetarit! Ngjarja ndodhi në “Ismet Shabani” të ndeshjes Ferizaj-Prishtina, ku mbrojtësi vendës Mirsad Idrizi u kap keq me nënkryetarin e klubit prishtinas, Afrim Muçiqi. Situata u qetësua falë intervenimit të të tjerëve.
  • “Ndërromë se s’po mundem më”. Berat Hyseni kështu e kërkoi zëvendësimin në ndeshjen Hajvalia-Trepça ’89. Ai thjesht s’mundej më.
  • Zyrtarët e klubit të Flamurtarit të Vlorës e kanë vëzhguar nga afër ndeshjen Hajvalia-Trepça ’89 e cila u zhvillua në Prishtinë.
  • Vëllaznimi, Trepça dhe Kosova e Vushtrrisë mbeten skuadrat e vetme në stinorin pranveror pa e shënuar asnjë gol në tri ndeshjet e para.
  • Prishtina dhe Feronikeli janë skuadrat e vetme në Superligë që nuk kanë pësuar gol në sezonin pranveror.