Olle sjell orarin e mundshëm të javës 23, Feronikeli sërish me Drenicën!

Ende nuk dihet asnjë qift i javës 23 të Raiffeisen Superligës, të parës për fazën e tretë, pasi kjo do të përcaktohet vetëm pas javës 22.

Renditja bëhet në bazë të përcaktimit të skuadrave në tabelë.

Mirëpo, GazetaOlle.com sjell çiftet e mundshme të javës 23.

Sipas të gjitha gjasave Feronikeli do të mbyll fazën e dytë në vendin e parë, dhe në javën 23 takohet me vendin e shtatë në renditje, që momentalisht mbahet nga Drenica. Me gjasë skuadra e Tahir Lushtakut do të mbetet në këtë pozitë, pasi vetëm humbja e tyre nga Kosova e Vushtrrisë, dhe fitorja e mundshme e Istogut në Pejë ndaj Besës, do të shmangte një duel të tillë.

Prishtina vështirë se do të lëshojë pozitën e dytë edhe pas ndeshjes me Hajvalinë. Edhe humbja e tyre, do t’i linte në atë pozitë, pasi golëdallimi i Besës që e rrezikon dallon, shumë në të mirë të prishtinasve.

Kështu, Prishtina e pret vendin e tetë, që momentalisht ruhet nga Istogu. Mirëpo, kundërshtari i skuadrës së Bylbyl Sokolit mund të jetë Vëllaznimi, të cilët nëse fitojnë ndaj Ferizajt dhe Istogu humb në Pejë, sfidojnë Prishtinën.

Besa e Pejës e pret vendin e nëntë, që në këtë pozitë ndodhet Vëllaznimi, mirëpo fitorja e gjakovarëve dhe humbja e Istogut nga Besa, do të thotë përsëritje të përballjes, Besa – Istogu.

Kosova e Vushtrrisë që momentalisht është e katërta, nëse e ruan këtë pozitë edhe pas ndeshjes me Drenicën, takohet me Dritën, e cila vetëm me fitore ndaj Feronikelit dhe humbje të Vëllaznimit, do t’iu shmangte këtij dueli.

Vendi i pestë, Hajvalia, nëse do të mbetej në pozitën e njëjtë do të priste Ferizajn, kurse e gjashta Trepça ’89, do të luante sërish me Trepçën në “Riza Lushta”. Dy çiftet e fundit mund të ndryshojnë, nëse Hajvalia humb nga Prishtina, dhe 89-shi e kalon në renditje.

 

Java 23 – çiftet e mundshme

 

Feronikeli – Drenica

Prishtina – Vëllaznimi ose Istogu

Besa – Istogu ose Vëllaznimi

Kosova (V) – Drita

Hajvalia – Ferizaj ose Trepça

Trepça ’89 – Trepça ose Ferizaj