‘Olle’ formacioni i javës

Skema ideale për xhiron e 18-të e Raiffeisen Superligës është 3-5-2, pasi që karakteristikat e futbollistëve që u dalluan në fundjavë e imponojnë krijimin e një skeme të tillë.

Portieri – Për ta nisur nga porta, aty vendoset portieri që iu dorëzua vetëm një goditje të Besës nga ‘1001’ sa i erdhën. Leotrim Rexhepi i Ferizajt priti shumë, por në fund u mposht nga Qëndrim Dautaj.

Mbrojtja – Tre futbollistë, tre golashënues. Nuk po flasim për sulmin por për mbrojtjen. Ahmet Haliti zhbllokoi shifrat për Prishtinën ndaj Trepçës, Shkëlqim Pacolli ia dha fitoren shumë të rëndësishme Hajvalisë kundër Dritës ndërsa Besnik Krasniqi debutoi me gol në “Demush Mavraj” në Superligë, duke mposhtur Drenicën 1:0.

Mesfusha – Pesë lojtarë e  përbjnë mesfushën. Treshja qendrore  me Azem Ahmetin që asistoi në dy golat e Hajvalisë, Behar Maliqin që shënoi edhe një gol ndaj Vëllaznimit dhe me Argjend Mustafën e Trepçës ’89 që shkëlqeu ndaj Kosovës së Vushtrrisë. Në krahë vijnë Qëndrim Dautaj që ishte vendimtar për fitoren e Besës si dhe Qemail Elshani që zhbllokoi shifrat ndaj Vëllaznimit.

Sulmi – Labinot Osmani merr votën kryesore për sulm pas dy golave ndaj Trepçës, por notë pozitive shkon edhe për Blerand Kurtishajn e 89-shit që e vulosi fitoren e mitrovicasve me golin ndaj vushtrriasve.

Trajneri – Gjashtë trajnerë shënuan fitore të rëndësishme, por Ismet Munishi e merr epitetin e trajnerit të javës për disa arsye. Shënoi fitoren e parë me Hajvalinë, mposhti një skuadër shumë të rrezikshme këtë edicion si Drita dhe arriti ta mund edhe presionin që i kishte kapluar me të madhe ‘arushat’, pasi që një kiks përkthehej me një hap prapa drejt titullit.

11076022_10206093499119164_923425090_n