‘Olle’ formacioni i xhiros së 27-të

3-4-3 është skema e formacionit të xhiros së 27-të të Superligës, me mesfushorët dhe sulmuesit që të gjithë kanë shënuar së paku një gol. Për trajnerin e javës shpjegimet janë të tepërta: Bekim Shotani.

Portieri – Fluturonte në “Shahin Haxhiislami” duke i bërë pejanët që ta kapin kokën me duar. Petrit Tahiri i Kosovës së Vushtrrisë ishte fantastik në fitoren e ‘gladiatorëve’ kundër Besës.

Mbrojtja – Vjen me tre. Lapidar Lladrovci shënoi përsëri gol për Feronikelin, Ardian Limani bëri paraqitje pozitive në pikën e rëndësishme të Dritës të fituar në Gjakovë, ashtu sikurse edhe Ardian Dervishaj i Istogut, i cili madje shënoi edhe një gol kryevepër por që u anlua për shkak të pozitës jashtë loje.

Mesfusha – Katër është numri i mesfushorëve, ku që të gjithë kanë shënuar gola. Në krahë janë Xhevdet Shabani i Niklit dhe Shkëlqim Pacolli i Hajvalisë, i cili ishte vendimtar në fitoren kundër Trepçës ’89. Qendra përbëhet nga Mentor Zhdrella që përpos golit ndaj Trepçës konfirmoi që forma e tij është në ngritje e sipër, dhe Albutrint Morina i Vëllaznimit, që i shënoi Dritës.

Sulmi – Labinot Osmani vazhdon të shkëlqejë nën fanellën e Prishtinës dhe viktima e radhës për të ishte Trepça, të cilës ia shënoi dy gola. Bashkë me të në sulm vijnë edhe Almedin Murati realizoi kundër Vëllaznimit dhe Milot Rashica, që ishte i pandalshëm në Pejë.

Trajneri – Bekim Shotani. Tekniku vushtrrias vazhdon ta mahnitë Superligën me Kosovën e tij. Një ekip stabil prapa dhe i frikshëm përpara, që pas 89-shit e mundi edhe Besën në udhëtim.

cats