Olayinkan e do ’89-shi, FFK thotë ‘jo’

Sulmuesi i Skënderbeut të Korçës, Peter Olayinka po kërkohet nga skuadra mitrovicase Trepça ’89.

Ky futbollist është i dënuar në Shqipëri për rreth katër muaj pasi që në të njëjtën kohë ka nënshkruar për dy klube.

Lajmi konfirmohet nga kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka. “Kemi arritur marrëveshje me Skënderbeun dhe Olainkan, për huazimin e tij në këta gjashtë muaj. Ka mbetur që FFK dhe FSHF të bisedojnë mes veti, në bazë të një marrëveshjeje që e kanë bërë, në mënyrë që lojtarit t’i lejohet të luaj në Kosovë, sepse ai është i dënuar për Shqipëri deri në maj”, deklaroi Abedin Zeka për Gazetën ‘Olle’.

Gazeta ka marrë një prononcim edhe nga zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha, lidhur me këtë çështje. “Nëse është i dënuar në Shqipëri, dënimi i bartet edhe këtu. Pra, nuk ka të drejt loje në Kosovë”, sqaroi Fazli Berisha.