Oferta milionëshe për Cikalleshin

Orë vendimtare për të ardhmen e Sokol Cikalleshit. Huazimi i tij te Akhisar nxori në pah vlerat e bomberit shqiptar dhe me rikthimin në Stamboll u fol fillimisht se lojtari kuqezi do të qëndronte te Istanbul që zotëron kartonin e tij.

Gjithsesi, merkatoja në Turqi nuk ndalet dhe në skenë del skuadra e Bursasporit që duket se ka piketuar 26-vjeçarin shqiptar për t’i dorëzuar çelësat e sulmit.

Presidenti i klubit Ali Ay’n është vënë personalisht në lëvizje për të bindur klubin nga Stambolli.

Lajmi është konfirmuar edhe nga klubi i Bursasporit që e konsideron sulmuesin e lindur në Kavajë si emrin ideal për të udhëhequr fazën ofensive pas sezonit pozitiv të Cikalleshit me Akhisar ku shënoi 10 gola dhe dhuroi 5 asiste në 27 ndeshje të luajtura.

Sipas faqes turke, “bursahakimiyet.com.tr”, vlera e kartonit të lojtarit shkon deri në 2 milionë e 250 mijë euro, shumë që klubi nga Bursa është i gatshëm ta paguajë në llogarinë e Istanbul. Aktualisht, Cikalleshi ka një kontratë që e lidh me klubin kryeqytetas deri në 31 gusht të vitit 2018 dhe ndoshta marrëveshja me Bursasporin nuk do të jetë aspak e vështirë pasi në muajin janar ai mund të largohet me parametra zero nga nënkampionët e Turqisë.