Nuk u paraqit në tri ndeshje me Kosovën, kjo është arsyeja pse Astrit Selmani nuk ka debutuar me Dardanët

Astrit Selmani ka qenë njëra nga prurjet më të mëdha të Kosovës në muajt e fundit.

Sulmuesi kosovar që po shkëlqen në futbollin suedez me Hammarbyn, është bashkuar me Dardanët në muajin qershor, kur Kosova zhvilloi ndeshje miqësore me San Marinon dhe Maltën.

Selmani u rikthye në Suedi dhe nuk luajti ndeshjen ndaj Maltës për arsye se mungonte leja nga FIFA.

Por pasi gjithçka është rregulluar me shtëpinë më të madhe të futbollit botëror FIFA, Selmanit i është dhënë leja të grumbullohet me Kosovën.

24-vjeçari ishte i ngazëllyer të luante me Dardanët ku në momentin që u publikua lista publikoi një foto në Insta Story duke thënë se është krenari për të ta përfaqësojë Kosovën.

Por në tri ndeshjet e muajit shtator, ndaj Gjeorgjisë (0-1), Greqisë (1-1) dhe Spanjës (0-2), sulmuesi mbeti në bankën rezervë duke mos luajtur asnjë minutë.

Reagime të shumta kishte nga tifozët për mos inkuadrimin e tij në lojë, derisa Bernard Challandes deklaronte se lojtari është i gatshëm, por se do t’i vinte rasti.

Telegrafi ka mësuar ekskluzivisht edhe arsyen pse sulmuesi i Kosovës nuk ka luajtur për asnjë minutë në këto tri takime.

Arsyeja është se lojtari nuk ka pasaportë dhe delegati i UEFA-s i kishte bërë me dije shtabit teknik se në rast të inkuadrimit të Selmanit në fushë rrezikojnë të humbasin me rezultat zyrtar 0-3.

Problemi që Selmani nuk ka mundur të pajiset me pasaportë kosovare ka të bëjë direkt me shtetin suedez dhe një dokument që nuk i është lëshuar futbollistit kosovar.

Reprezentuesit të Kosovës i është nevojitur dokumenti që nuk është nën hetime nga policia suedeze dhe këtë dokument Suedia nuk e ka lëshuar deri në përfundim të tri ndeshjeve.

Redaksia e sportit në Telegrafi ka mësuar se sot (09.09.2021), në shtëpinë e Selmanit në Suedi ka mbërritur ky dokument dhe ai tani e tutje do të jetë i gatshëm.

Posa të sillet dokumenti në Kosovë, Astriti do të ketë të drejtën të marrë pasaportën kosovare dhe nga muaji tetor është i gatshëm për lojë.

Sulmuesi nga Kosova i lindur në Malmo të Suedisë ka zhvilluar këtë sezon 23 ndeshje me skuadrën e Hammarbyt ku ka shënuar nëntë gola dhe ka asituar në shtatë të tjerë.

Boateng rrezikon burgun, del në gjykatë për dhunë ndaj ish-bashkëshortes

Botërori çdo dy vjet? Këtë e kërkojnë 166 shtete