“Nuk dua të dëgjoj për Mourinhon”

Ylli i Wolfsburg, Kevin de Bruyne, thotë se ai do të rikthehej në Angli, por kurrë te një skuadër që drejtohet nga Jose Mourinho.

De Bruyne u transferua në Stamford Bridge nga Genk në vitin 2012 por fillimisht u huazua te Werder Bremen. Pasi u rikthye te Blutë në sezonin 2013-14 ai bëri vetëm tre paraqitje nën drejtimin e Mourinhos, para se të kalojë te Wolfsburgu gjatë janarit të vitit të kaluar dhe, si duket, i hidhëruar me trajnerin portugez.

“Mendoj, të jem i sinqertë, nuk do të rikthehesha më te Chelsea përderisa ai është në drejtim”, ka thënë lojtari për Bild.

“E di se më pëlqen Bundesliga, dhe gjithmonë më ka bërë mirë. Por nuk kam frikë të rikthehem në Angli ose të luaj në Spanjë. Besoj se mund t’ia dal atje. Ju nuk mund ta krahasoni kohën time te Chelsea me atë çfarë po bëj tash”, ka shtuar belgu.

De Bruyne ka shënuar 15 gola në të gjitha garat, duke ndihmuar Wolfsburgun të përfundojë i dyti në Bundesliga dhe të kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.