Nuhiu: Na pret kundershtar agresiv, Drita do të jetë e fokusuar deri në fund të kampionatit

Në konferencën e radhës për media nga FC Drita, u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Almir Ajzeraj.

Në këtë konferencë u theksuan pritshmëritë, por edhe përgatitjet për ndeshjen Drita – Malisheva, ku u potencua se fitorja është synimi i vetëm.

Kryetrajneri Nuhiu theksoi se nesër i pret një ndeshje e fortë ndaj një skuadre me sulm të shpejtë, ku skuadra e tij duhet të jetë e fokusuar.

“Në asnjë moment nuk jemi dorëzuar, por realisht është një diferencë e madhe dhe gjërat janë vështirësuar. Por, ne si klub kemi qenë të përgatitur që do të kemi një kampionat të tillë ku mund të kemi luhatje. Vendimet për të ndryshuar komplet skuadrën, për të ndërprerë bashkëpunimin me disa futbollistë që i kanë dhënë shumë klubit dhe duke afruar futbollistë të rinj tregojnë guxim vërtetë të madh. Kështu duke rindërtuar thuajse komplet skuadrën dhe për këtë kemi qenë të vetëdijshëm se komponimi do të jetë sfidë. Por, ne kemi parë skuadrën tonë dhe komponimin në ndeshje ndërkombëtare, sado që ndryshon motivi në Evropë dhe në kampionat”, ka thënë ndër të tjera Nuhiu.

Nuhiu ritheksoi se Drita është në finale të Kupës dhe brenda objektivit, prandaj fokusi është te finalja e madhe dhe trofeu i Kupës.

“Por, ne duhet të jemi të kënaqur me atë cfarë ka treguar skuadra këtë vit, futbollistët cilësorë që kanë performuar shumë mirë këtë kampionat. Kemi ekip të mirë dhe realisht nuk jemi vetëm në garë, kemi qenë shumë skuadra që luftojmë për titullin, por edhe skuadrat më poshtë tabelës që kanë treguar karakter me ne. Skuadra duhet ndërtuar, Drita ka një të ardhme të ndritur dhe fokusi duhet të jetë në këto 7 ndeshjet e fundit. Na pret edhe finalja e madhe për të cilën që tani do të fillojmë ta përgatisim, që të shfaqemi në nivelin më të lartë. Do të bëjmë më tepër se maksimumin që Kupën ta rikthejmë në qytetin tonë dhe për tifozët tanë “Intelektualët”, të cilët e meritojnë çdo sukses”, ka përfunduar Nuhiu.

Dardanët U17 e presin me optimizëm ndeshjen kundër Italisë

Drenasi afër për të siguruar mbijetesën me trajnerin e ri, Leotrim Krasniqi: I kemi edhe tri finale para vetes