Para mediave u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Esosa Priestley, shkruan Gazeta Olle.
Nuhiu fillimisht foli për rëndësinë e takimit dhe pritshmëritë për ndeshjen ndaj Drenicës.
“Drenica po bënë një punë të mirë, është skuadër e shpejtë në sulm dhe agresive në mbrojtje. Jemi munduar që në aspektin taktik të përgatisim një kundërlojë, që nesër besoj ta shfaqim në mënyrën më të mirë. Na gëzon fakti që kthehen tifozët tanë, na kanë munguar shumë, kam besim që do të na mbështesin dhe do t’i japin skuadrës një motiv shtesë për të shkuar drejt fitores”, ka thënë Nuhiu.
Kryetrajneri Nuhiu foli për përgatitjet dy javore, për çka tha se kanë marrë ngarkesën e nevojshme për fazën finale të stinorit.
“Kemi pesë ndeshje deri në fund të stinorit dhe duhet të jemi të kujdesshëm e të vëmendshëm. Jam i kënaqur sesi janë përgjigjur djemtë në këtë mini fazë përgatitore, kemi punuar me skuadrën në aspektin taktik dhe psikologjik dhe jemi munduar t’i përmirësojmë gabimet që janë shfaqur. Falënderoj futbollistët për angazhimin, sepse e dijmë që kemi grup të rinj dhe momentin që e ndërton një skuadër të re është qështje kohe se kur arrin kompaktësinë. Çdo ditë që po kalon djemtë po njiheni me njëri-tjetrin dhe kam besim te grupi që nga ndeshja e nesërme t’i marrim pikët që kemi lënë rrugës. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të tregojmë kualitetet tona”, theksoi Nuhiu.
Trajneri Nuhiu njoftoi se forma e futbollistëve është e mirë, Arbnor Muja është rikuperuar, gjersa në ndeshjen e nesërme mungojnë Rron Broja dhe Muharrem Jashari.
Takimi Drita – Drenica zhvillohet nesër, e shtune, ora 13:00 në Stadiumin e Qytetit në Gjilan. /Gazeta Olle/