Nuhiu: Llapi luajti lojë të mençur duke u mbrojtur, barazimi epilog real

Drita dhe Llapi kanë luajtur baras 1-1 në derbin e xhiros së 20-të në BKT Superligën e Kosovës.

Ka qenë një ndeshje jashtëzakonisht interesante në stadiumin e qytetit në Gjilan me dy gola të shënuar, nga një për secilën skuadër.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka thënë pas ndeshjes se Llapi luajti një ndeshje të mençur duke u mbrojtur, teksa ka lavdëruar karakterin e futbollistëve të tij.

“Llapi ka luajtur një ndeshje të mençur ku është mbrojtur mirë dhe me agresivitet. Kemi pasur një rast të mirë me Astrit Fazliun në fillim të ndeshjes, ku po të shënonim do të merrte ndeshja tjetër kahje”.

“Më pëlqeu karakteri i futbollistëve të mijë që gjatë gjithë kohës ishin kërkues ku pas barazimit kërkuan edhe ta fitonin ndeshjen”, u shpreh Nuhiu.

Tutje trajneri shkupjan i Dritës thotë se përballë kishin një kundërshtar të fortë dhe se barazimi ka qenë epilog real i kësaj sfide.

“Kishim një kundërshtar të fortë dhe mund të them se ishte epilogu real barazimi, ku edhe ne mund të fitonim ndeshjen, por edhe Llapi pati raste të tjera”.

“Çdo futbollist është i rëndësishëm, gjithë ata që u paraqitën bën maksimumin dhe mund edhe ta fitonim takimin, por ky është futbolli”, deklaroi Ardian Nuhiu.

Përkundër barazimit, Drita mbetet në vendin e parë me 38 pikë, derisa Llapi është e katërta me 33 sosh. /Gazeta Olle/

Mbyllen në paqe dy ndeshjet e sotme në Gjilan dhe Lipjan

Batatina: Jam duke e bërë një tjetër lojtar gati për Kosovën përveç Valmir Veliut